Piskama e dites

"NJERËZIT ME PASION MUND TA NDRYSHOJNË BOTËN PËR TË MIRË."


- Steve Jobs

image

 

“Silicon Valley” është një qendër e teknologjisë ku kanë selitë kompani si Google, Facebook dhe Apple. Rajoni ndodhet në Kaliforninë veriore, ndërmjet San Franciscos dhe San (Hozesë) Joses. Ajo njihet mbi të gjitha për kulturën e fillimit të një biznesi.

 

Kur prindërit e saj emigruan nga Nepali, Monika Perkash nuk kishte imagjinuar se një ditë ajo do të drejtonte një kompani në Silicon Valley.

 

“Kur u zhvendosa fillimisht këtu, babai më telefonoi nga Teksasi ku edhe jetonte...dhe më tha se nuk e gjente dot në hartë Silicon Valley.”

 

Zonja Perkash thotë se Silicon Valley nuk është thjesht një rajon i Kalifornisë, por edhe një kulturë e iniciativës së sipërmarrjes që e përfshiu atë sapo mbërriti atje.

 

“Fillimisht, prindërit e mi ishin të hutuar. U pranova për studime në mjekësi dhe nuk e kuptonin se përse nuk i vazhdova.”

 

Basghkë me dy të tjerë, ajo dëshironte të krijonte një kompani teknologjike për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ata krijuan “Lumo Bodytech”, një kompani që krijon sensorë truporë që përmirësojnë staturën fizike dhe i ndihmon vrapuesit të shmangin lëndimet.

 

“Ka shumë studime që tregojnë se statura e trupit lidhet me dhimbjet e shpinës”, thotë Charles Wang, bashkëthemelues i kompanisë.

 

Prindërit e zotit Wang janë nga Tajvani dhe ai u shndërrua nga doktor në sipërmarrës. Ai thotë se sensori Lumo Life dridhet për të paralajmëruar personin të mbajë trupin drejt për të shmangur rrezikun e dhimbjeve të shpinës.

 

Një tjetër sensor funksionon kur dikush është duke vrapuar. Në bashkëveprim me celularin, ofron instruksione të personalizuara trajnimi. Andrew Chang thotë se të fillosh një biznes ngjason me vrapimin.

 

“Lëvizim me shpejtësi të madhe duke marrë vendime të shpejta, pasi kemi shumë më pak burokraci.”

 

Bashkëthemeluesi Wang thotë se duhet të mësosh me shpejtësi dhe të përballesh me sfida të reja çdo ditë.

 

“E kam shijuar. Kam mësuar shumë gjëra të reja këtu.”

 

Zonja Perkash thotë se kjo vjen prej frymës së bashkëpunimit në Silicon Valley që po zgjeron një kulturë të tërë. Ajo thotë se suksesi i biznesit që ajo ka krijuar është bërë burim gëzimi për prindërit e saj.

 

“Dua t’i bëj krenarë dhe t’u bëj të ditur se shansi që më dhanë për të arritur çfarëdolloj gjëje, po përmbushet. Pra, jam duke i nderuar nëpërmjet punës sime.”

 

Për të gjithë ata që duan të bëjnë diçka të ngjashme, ajo thotë të mos i frikësohen dështimit, por ta përqafojnë si një mundësi për të mësuar. /zeriamerikes.com

Sociologët kosovarë thonë se feja islame në Kosovë nuk duket që është në formën e saj ashtu siç është predikuar me shekuj. Ka dështuar edhe shteti.

 

image

 

Feja islame në Kosovë ka filluar së fundi në disa segmente të ketë forma të radikaliuzara. Për rrjedhojë islami nuk duket që është në formën e tij ashtu siç është predikuar me shekuj me të cilin një pjesë e popullsisë është mburrur dhe e ka përqafuar atë - si besim dhe si kulturë. Kështu thonë sociologët dhe teologët kosovarë, në kohën kur në Kosovë është ngritur alarmi për siç thuhet “rrëshqitje”, i një pjese të popullatës nga civilizimi perëndimor në atë lindor.


Një studim i fundit i publikuar nga Instituti për Hartimin e Politikave (KIPRED) në Prishtinë, ka nxjerrë në pahë se në Kosovë është duke u rritur numri i qytetarëve që identifikohen me religjionin para përkatësisë së tyre kombëtare.

 

Çfarë po ndodhë me shqiptarët?

 

“Çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës. Ndikimi i fesë në identitetin etnik në periudhën e shtetndërtimit", quhet hulumtimi që vë në pah se standardi i jetesës nuk është përcaktues i bashkëjetesës fetare, mos tolerancës fetare dhe ekstremizmit.


“57 përqind e shqiptarëve myslimanë e ndiejnë veten shqiptarë së pari pastaj myslimanë. 32 % e ndjejnë veten së pari myslimanë e pastaj shqiptarë dhe kjo është ajo zhvendosja shumë e madhe, ku identiteti shqiptar shndërrohet në identitet linguistik dhe është ai drejtimi që po e merr drejt për këtë pjesë të shoqërisë, si një shoqëri religjioze - etnike, në vend që të ishte etnike dhe pastaj me elemente fetare qysh kanë qenë përpara shqiptarët”, thotë Drejtori i Institutit (KIPRED), Lulzim Peci.

 

Fundi i shqiptarisë?

 

Nëse ky trend vazhdon me këtë ritëm, atëherë ka rrezik që të shënohet siç thotë ai, “përfundimi i shqiptarisë”, ashtu siç e njohim ne dhe me të së bashku edhe fundi i Kosovës sekulare dhe pro-perëndimore.

 

image

 

Po si e shpjegojnë këtë fenomen sociologët kosovarë? Smajl Hasani, sociolog i religjionit i tha DW-së, se “shpërfaqja e radikalizmit fetar në fazat fillestare, elementi i revitalizimit të religjionit pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë është diçka e natyrshme, sepse njerëzit fillojnë të mendojnë për përkatësinë e tyre konfesionale në shoqërinë post-konfliktuale. Por shfaqja e radikalizmave në trajtën e ekstremizmave në vendet e predikimit në situatat që janë krijuar nga fushëbetejat e pakuptimta në Lindjen e Mesme, është diçka që vështirë mund të kuptohet pa një analizë të mirë në aspektin sociologjik në aspektin psikologjik dhe në dimensione tjera etnokulturore. Ajo çka po i ndodhë Kosovës është diçka e veçantë për identitetin kur dihet që pjesa dërmuese e popullsisë së Kosovës i përkasin dy përkatësive të mëdha konfesionale - fesë myslimane dhe katolike. Pra, kjo që po ndodhë vërtetë është vështirë të kuptohet”, thotë Smajl Hasani.


Njëri nga hulumtuesit e Institutit për Hartimin e Politikave, Agon Demjaha, thotë se institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë pasur një qëndrim të paqartë kundrejt radikalizmit islamik në Kosovë. Shteti, sipas tij, ka dështuar në luftimin e nxitjes së urrejtjes fetare.

 

Dështimi i shtetit

 

Në këtë linjë, sociologu Smajl Hasani, thotë se reagimi i institucioneve të Kosovës pas shfaqjes së radikalizmit fetar ishte i vonuar. “Është e vërtetë që zgjimi jonë ndodhi shumë vonë, sepse ka kohë që janë dhënë shenjat e para të radikalizmit në Kosovë, sidomos në raste të ndryshme nga predikime nga qarqe të ndryshme. Por, reagimi jonë ka qenë i vonuar. Në anën tjetër, sistemi jonë edukativo-arsimor, parauniversitar dhe universitar, lë shumë për të dëshiruar. Kjo sepse disa nga përmbajtjet e lëndëve, të cilat fëmijët tanë detyrimisht i mësojnë, do të duhej të rishikohen dhe të futen pjesë të silabuseve të reja, që do të nënkuptonin mësim më tepër për civilizimet, për kulturën dhe etninë”, thotë sociologu Hasani.

 

image

 

Një numër jo i vogël i kosovarëve, sidomos viteve të fundit, u janë bashkuar grupeve ekstremiste që po luftojnë në Lindjen e Mesme. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, numri i personave të identifikuar që kanë marrë pjesë apo po marrin pjesë në luftëra në Lindje të Mesme është afër 300 persona. Këta persona janë ndikuar nga ideologji të gabuara. Sipas teologëve, luftimi në emër të fesë është i gabuar dhe kjo ideologji asnjëherë nuk ka qenë e pranishme të trevat shqiptare, thotë për DW-së, Besa Ismaili, teologe në Bashkësinë Islame të Kosovës.

 

Influencimi nga ideologji të gabuara

 

“Ne besojmë që kjo që po ndodhë në botë nuk ka lidhje me fenë, por që feja ka një përgjigje për ta dhe ne dëshirojmë që këtë përgjigje ta përçojmë tutje. Në mesin e fetarëve të mirëfilltë nuk ka ekstremistë. Në fe nuk ka dhunë, në fe ka vetëm dashuri”, thotë Besa Ismaili.


Sipas saj, asnjë person që deri tash është identifikuar si pjesëmarrës në luftërat në Lindjen e Mesme, nuk ka dalë nga medresetë e Bashkësisë Islame të Kosovës. “Për ta argumentuar këtë, bashkësia islame ka dy medrese të vajzave dhe tri medrese të djemve që funksionojnë që nga viti 1952. Deri tash kemi 200 teologe femra shqiptare që kanë studiuar islamin në gjuhën shqipe këtu në Kosovë dhe që punojnë në teren. Kemi dhe shumë teologë dhe asnjë nga këta nuk është në mesin e atyre të cilët nga institucionet e Kosovës janë identifikuar si ekstremistë apo që e kanë marrë rrugën e errësirës për në Siri”, thotë Besa Ismaili.

 

 

Personat e rrugës së gabuar

 

Ajo thotë se këta persona që kanë shkruar atje, kanë të bëjmë më një ideologji të huaj të panjohur për këto treva. Ndërsa të tjerët që janë edukuar në Kosovë, janë më adaptët për çrrënjosjen e dukurisë se keqe. Se ideologjia ekstremiste fetare nuk është predikuar me shekuj në këto treva, e thotë edhe sociologu Smajl Hasani.

image

 

"Ky nuk është ilami me të cilin popullata jonë është mburrur me shekuj dhe e ka përqafuar - si besim dhe si kulturë. Për fat të keq, islami tash e ka formën e shpërfaqjes së radikalizuar në disa segmente. Nëse sondazhet e kohëve të fundit janë të sakta (të cilat unë i marr me rezervë), atëherë mund të flitet për rrëshqitje të tmerrshme të civilizimit nga ai perëndimor në atë lindor, sepse ajo përqindje që del kur njerëzit i japin përparësi më shumë përkatësisë fetare sesa asaj kombëtare, është diçka tejet shqetësuese”, thotë Smajl Hasani.

 

Sipas hulumtimit të institutit (KIPRED), institucionet e Kosovës kanë anashkaluar problemin e rritjes së radikalizmit në Kosovë.

 

"Dalja në skenë e grupit terrorist ISIS, ka nxjerrë në pah sfidat e Kosovës”, pohon ai. Studimi sugjeron që sistemi i drejtësisë të zbatojë ligjin ndaj gjuhës së urrejtjes fetare dhe etnike si dhe predikimit të ekstremizmit. Kosova që nga viti 2014 është rreshtuar në aleancën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së. /Deutsche Welle Shqip

image

 

Qendra Hapësinore Johnson e NASA-s gjendet në Hjuston të shtetit Teksas. Për rreth pesë dekada, kjo qendër ka udhëhequr përpjekjet njerëzore për eksplorimin e hapësirës. Objektivi i kësaj qendre tani është dërgimi i njerëzve në planetinin e kuq, Mars.

 

Që nga viti 1961, Qendra Hapësinore Johnson, shkurtimisht JSC, është vendi ku NASA kryen dhe kordinon të gjitha aspektet e fluturimeve të njeriut në hapësirë.

 

Që nga projektet Gemini, Apollo dhe Skylab e deri tek programi i anijeve të hapësirës dhe aktualisht stacioni ndërkombëtar i hapësirës, të gjitha misionet hapësinore të NASA-s janë kontrolluar nga qendra Johnson, Holly Ridings është drejtoreshë e fluturimeve.

 

“Qendra e Kontrollit të Misioneve gjendet këtu që nga vitet 60-të dhe ka mbështetur çdo program hapësinor të njeriut që ka zhvilluar Amerika që nga fillimet. Është po e njëjta ndërtesë. Nga kjo qendër komunikojmë me 6 astronautë dhe kozmonautë në hapësirë. Kemi ekipin këtu që iu jep mbështetje, me një drejtor fluturimi në krye të ekipit.”

 

Një tjetër funksion i rëndësishëm i qendrës Johnson është edhe përzgjedhja dhe trajnimi i astronautëve. Çdo astronaut i NASA-s kalon përmes një trajnimi rigoroz para se të dërgohet në hapësirë.

 

“Ndërtesa reflekton gjithçka që ka të bëjë me hapësirën. Kemi pjesë stacionit hapësinor të së njëjtës madhësi, ku mund ta kuptosh se si funksionojnë gjërat. Bëjmë trajnime për emergjencat në këto module, që ekipet të mësojnë si duhet vepruar në rast avarie në stacionin hapësinor”, thotë drejtoresha e fluturimeve Holly Riding.

 

Laboratori Neutral Buoyancy është një pishinë gjigande që simulon kushtet pa peshë (forcë rëndese) të fluturimeve në hapësirë. Astronautët praktikojnë ecjet në hapësirë në modulet kopje të stacionit ndërkombëtar.

 

Përveç mbështetjes 24 orëshe të ekipit në stacionin ndërkombëtar, Qendra Hapësinore Johnson është përgjegjëse për ndërtimin e mjetit hapësinor Orion për ekuipazhin, që synon dërgimin e njeriut edhe më larg dhe nxitjen e një faze të re të eksplorimit të hapësirës.

Nëse gjithçka shkon mirë, NASA ka në plan të përdor Orion për dërgimin e njeriut në Mars në vitet 2030. Zonja Riding i nxit të apasionuarit e hapësirës të gjejnë mënyra të reja për të marrë pjesë në eksplorimin e hapësirës nga njeriu.

 

“Nga një përspektivë botërore, ka hapësirë që ne të gjithë sëbashku të bëjmë mrekullira në hapësirë. Për specien njerëzore është e nevojshme çuarja përpara e këtij objektivi. Edhe nëse një shtet nuk ka program hapësinor, ka mënyra për t’u përfshirë. Qenia pozitivë është e rëndësishme, si dhe gjetja e mënyrave për t’u angazhuar.” /zeriamerikes.com

image

 

Kosova duhet të jetë e vetëdijshme që ka “miq të rrejshëm” dhe “Turqia është mike e rrejshme e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, drejtor i Programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut, në Universitetin e Kolumbisë në New Jork. Ai ka qenë këshilltar në Departamentin e Shtetit dhe ekspert për marrëdhënie të jashtme.

 

Phillips ka theksuar se Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”. Sipas tij, Kosova nuk është e vetëdijshme për një gjë të tillë.

 

“Jo, sepse në planet afatshkurta ekzistojnë përfitime të drejtpërdrejta nga marrëdhëniet e tilla me Turqinë. Por, investimet e Turqisë nuk janë në interesin e Kosovës ,por i shërbejnë interesave të Turqisë."

 

"Duhet të kemi kujdes për këtë. Kudo që ekziston zbrazëtira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet ta plotësojnë atë. Institucionet ndërkombëtare duhet të përfshihen dhe janë të nevojshme kontaktet më të forta ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe të atyre nga vendet perëndimore”, ka thënë Phillips.

 

Duke folur për ekstremizmin e dhunshëm, ai ka theksuar se është e pamundur që ai të çrrënjoset vetëm përmes masave të sigurisë. Por, sipas tij, për një gjë të tillë nevojitet, siç e ka quajtur ai, “pushteti i butë”.

 

“Kjo përfshin arsimimin, vende të reja pune, zhvillimin ekonomik, bashkëpunim të shoqërisë në nivelin lokal, në mënyrë që të rinjtë të binden se kanë të ardhme në qoftë se përkushtohen ndaj strategjive që do t’i avancojnë. Mund të bëhet shumëçka. Radikalizmi është pjesë e problemit të madh që ekziston në Kosovë dhe kjo është dëshpëruese”, ka theksuar Phillips.

 

Sipas tij, masat e sigurisë nuk janë zëvendësuese të shpresës që duhet t’u ofrohet njerëzve.

 

“Atë shpresë duhet ta ofrojnë autoritetet e Kosovës. I dimë statistikat për papunësinë. Të rinjtë janë të dëshpëruar. Janë të dëshpëruar me liderët politik dhe me krimin e përhapur dhe korrupsionin në qeveri. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë, që t’i inspirojë njerëzit dhe që t’u jepet shpresa për një të ardhme më të mirë. Po ta kishin të rinjtë këtë nuk do t’i ktheheshin islamit radikal”, konsideron Phillips.

 

Ai thotë se në vendin ku nacionalizmi gjithmonë ka qenë ndjenjë mjaft e fuqishme, është brengosës fakti që tashmë islamizmi është i përhapur ndër të rinjtë.

 

Sipas tij, luftëtarët që kthehen nga vend-luftimet e huaja paraqesin rrezik të veçantë për shoqërinë dhe siç thotë ai, për ta nevojitet program i posaçëm për integrimin e sërishëm në shoqëri.

 

“Burgjet janë problematike, për shkak se në burgje njerëzit i krijojnë kontaktet me ekstremistët e dhunshëm. Në këtë mënyrë, burgjet shndërrohen në një lloj universiteti për xhihadistët. Burgosja nuk është përgjigje ndaj kësaj. Këtë e kemi parë në Guantanamo në Kubë, si dhe në qendrat ndëshkuese në Irak dhe Afganistan. Ajo që nevojitet është që njerëzve t’iu ofrohet shpresa për të ardhmen, shkathtësitë dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që ta kenë ndjenjën se mund të bëjnë diçka me jetën e tyre, në vend se t’i kthehen ekstremizmit fetar”, theksoi Phillips.

 

Ai ka shtuar se fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit është problem global dhe si i tillë ai paraqitet edhe në Kosovë, në rajon, Evropë dhe në gjithë botën. Nisur nga ky fakt, sipas tij, nuk është e drejtë që Kosova të veçohet si vendi numër një që për kokë banori i ka kontribuuar më së shumti me luftëtarë të ashtuquajturit Shteti Islamik. /evropaelire.org

image

 

Sëmundja e kancerit ishte dhe mbetet një problem global i shëndetit publik. Në Kosovë, gjatë vitit 2015, janë paraqitur 808 raste të reja me këtë sëmundje. Ndërkaq gjatë këtij viti, ndonëse nuk ka ende statistika të sakta, sipas profesionistëve shëndetësorë, numri i personave të prekur mesëmundjen e kancerit ka shënuar ngritje të lehtë.

 

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë institucion gjatë ditës kërkojnë ndihmë deri në 300 persona.

 

“Klinika e Onkologjisë po funksionon me tëgjitha departamentet dhe po e përballon fluksin deri në 300 pacientë në ditë. Ata kanë nevojë për ndihmë, qoftë për mjekimet me kimioterapi, kujdes paliativ (kujdes mjekësor për personat me sëmundje të rënda) dhe kurativë ditore, radioterapi, etj. Aparatura po funksionon normalisht dhe po mbulon fluksin e pacientëve nga Kosova, Medvegja, Presheva si dhe disa raste sporadike nga Shqipëria.”

 

“Furnizimi është relativisht i mirë. Andaj trajtimi dhe mjekimi është shumë i lehtë. Mungesa të vogla ka, por janë barna të lira, e nuk ka ofertues për shkak të kostos së vogël. Por, ato barna pacientët i blejnë vet”, ka theksuar Hyseni.

 

Ndërkaq, udhëheqësi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka deklaruar se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra. Ai përmend disa nga faktorët që do të mund të ndikonin në parandalimin e kësaj sëmundjeje.

 

“Padyshim që janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si mos tymosja e duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive shkaktohet pikërisht nga tymosja. Pastaj duhet bërë më shumë aktivitete fizike, si dhe të kemi ushqyeshmëri dhe stil të shëndetshëm të jetës. Por, janë edhe kontrollet e rregullta mjekësore dhe zbulimi i hershëmqë i rrisin shanset për trajtim më të mirë dhe të lehtë”, ka deklaruar Syla.

 

Ndërsa onkologu Ekrem Hyseni tutje shton se krahasuar me vendet e rajonit, numri i qytetarëve të Kosovës që preken me sëmundjen e kancerit është më i vogël.

 

“Nuk ka shtim të rasteve të reja të shumta. Është një numër i lehtë i personave që preken me këtë sëmundje dhe nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova është vendi me numër më të vogël të rasteve të reja të prekura me kancer”, ka deklaruara Hyseni.

 

Klinika e Onkologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka përfituar një donacion prej 294 mijëeuro, i cili përmban 200 ampula tastuzumab ( Herceptinë R), që konsiderohet se do të jetë mbështetje dhe ndihmesë në realizimin e mjekimit modern dhe të plotë të këtyre pacientëve, ka shtuar tutje Hyseni.

 

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se përdorimi i këtij produkti do të ndikojë direkt në ofrimin e vazhdimësisë së mjekimit, përmirësimin e rezultateve të mjekimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

 

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, ka bërë të ditur se buxheti për barna për trajtimin e sëmundjes së kancerit për këtë vit është 5 milionë euro, dhe se me këtë buxhet nuk do të mund të mbulojnë 100 për qind barrën e sëmundjes. Ai shton se institucionet publike shëndetësore gjatë vitit 2015 kanë qenë të mbuluara mirë me terapi kundër kancerit. /evropaelire.org

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com