Piskama e dites
Personi më i rrezikshëm është ai i cili dëgjon, mendon dhe vëzhgon.

- Bruce Lee

Japonezi Yoshinori Ohsumi mori Çmimin Nobel për Mjekësinë, duke u vlerësuar për zbulimin e mekanizmit të autofagisë, që luan rol në shpërbërjen e pjesëzave qelizore.

image

 

Yoshinori Ohsumi "zbuloi dhe studioi mekanizmat bazë të autofagisë", kështu e argumentoi juria vendimin e saj për dhënien e Çmimit Nobel, studiuesit japonez, që punon në Institutin e Teknologjisë në Tokio. Mekanizmi i autofagisë përcakton, nëse ka rrezik të sëmuremi nga sëmundja Alzheimer, por edhe e kancerit. Madje studimi i mëtejshëm i autofagisë jep shpresa se mund të luftohen më mirë këto sëmundje. Profesoresha e gjenetikës, Anna Wedell, anëtare e jurisë së Nobelit është shprehur në intervistë për dpa-në se ka pasur të dhëna që "një menakizëm i tillë ekzistonte, por ne nuk e kishim kuptuar se si funksiononte, dhe nuk e dinim, nëse ky ishte mekanizmi i duhur." Autofagia mund të ndihmojë edhe në përcaktimin e sëmundjes Parkinson.


Kolegët e përshkruajnë biologun si njeri të "thjeshtë dhe zemërngrohtë". 71 vjeçari vjen nga një familje akademike dhe ka punuar fort për t'u ngritur në majat e botës studimore. Vetëm në moshën 43 vjeçare, Ohsumit iu mundësua një laborator personal. Shihet si e pazakontë që Çmimi Nobel për Mjekësinë iu dha një personi të vetëm, pasi zakonisht ai ndahet mes tre studiuesve, -një shenjë vlerësimi kjo për studiuesin japonez. /Deutsche Welle Shqip

image

 

Një kompani e re në Silicon Valley të Kalifornisë ka punësuar robotët për të bërë pica. Kjo është një prej firmave të reja që po përdorin teknologjinë për të kryer veprime të përsëritshme. Megjithatë, sipërmarrësit këmbëngulin se njerëzit ende kanë rolin e tyre në këtë proces.

 

Një picë duket e shijshme ndërsa kalon në rripin e transportit. Një robot pret që ta fusë atë në furrën e pjekjes. Kompania “Zume Pizza” po përdor robotët, duke thënë se kursen para për krahun e punës. Julia Collins është bashkëthemeluese e këtij biznesi.

 

“Harxhojmë më pak para në veprimet e përsëritshme, si prerja e sallamit apo hedhja e djathit. Veprimet e përsëritshme i kemi automatizuar që të shpenzojmë më shumë para për cilësinë” , thotë ajo.

 

Kjo piceri është një prej firmave në rritje që po përpiqen të ndryshojnë industrinë ushqimore përmes programeve kompjuterike dhe robotëve. Këtu robotët hedhin salcën, djathin dhe pjekin picën.

 

Ndërsa firma tjetër "Mountain View" së shpejti do të punësojë robotët që të bëjnë brumin, të hedhin djathin, ta nxjerrin picën nga furra, ta presin dhe ta paketojnë.

 

“Zume Pizza” thotë se këtë vjeshtë do të fillojnë dërgesat me një kamion që ka 56 furra për pjekjen e picave në rrugë e sipër kur vijnë porositë. Kjo garanton freskinë e picës kur ajo mbërrin në destinacion. Charity Suzuki është e kënaqur me picat robotike.

 

“Është e shijshme, gjithmonë e nxehtë dhe e freskët. Nuk mund të bëj dallimin nga pica e bërë nga dora e njeriut apo roboti.”

 

"Bistrobot" me qendër në San Francisco të Kalifornisë njihet për sanduiçet me pica. Klientët zgjedhin sanduiçet e tyre përmes një ekrani me prekje dhe pastaj shikojnë se si roboti përgatit ushqimin e tyre. Jay Reppert është themeluesi dhe drejtuesi i BistroBot.

 

“Është i shpejtë, me kosto më të vogël dhe i qëndrueshëm dhe padyshim një eksperiencë që të jep kënaqësi.”

 

Ekspertët parashikojnë se teknologji të tilla do të përdoren gjithnjë e më shumë në restorante dhe kuzhina. Drejtori i laboratorit të automatizimit në Universitetin e Kalifornisë në Berkley, Ken Goldberg, thotë se me futjet e robotëve në punë ka mjaft detyra të tjera që mbeten për njerëzit.

 

“Ka 50 vjet që bëhen kërkime dhe po bëhet avancime pavarësisht sfidave. Dua të siguroj punonjësit e restoranteve se aftësitë e tyre ende do të kenë vlerë.”

 

Duke patur në mendje atë që thotë profesori, një gjë është mëse e sigurt, robotët nuk do të mund të provojnë shijen e një pice të mirë. /zeriamerikes.com

image

 

Mbrëmja e sotshme mund të shndërrohet në një moment përcaktues për fushatën presidenciale në SHBA.

 

Debati i parë presidencial ndërmjet demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump vlerësohet se do të ndiqet nga 100 milionë amerikanë, të cilët do të jenë në gjendje për herë të parë të peshojnë kandidatët në një skenë përballë njëri-tjetrit.

 

Debati do të jetë me tepër rëndësi për të dy kandidatët, të cilët do të ndiqen me vëmendje jo vetëm për gjërat që do të thonë, por edhe për mënyrat se si do t’i thonë.

 

Cili do të jetë Donald Trump?

 

Debati do të jetë një moment kyç për zotin Trump, i cili gjatë javëve të fundit ka ngushtuar diferencën në sondazhe me zonjën Clinton, pjesërisht për arsye se e ka paraqitur veten më të disiplinuar se në të kaluarën. Ai gjithashtu është përqëndruar më shumë tek tematika e tij qendrore.

 

“Do ta bëjmë Amerikën sërish të fortë. Do ta bëjmë Amerikën sërish të sigurtë dhe madhështore!”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij të mbledhur në një tubim në Fort Myers, në Florida, një shtet i rëndësishëm ku ai ka rezultuar i barabartë me zonjën Clinton gjatë sondazheve të fundit.

 

Nga ana e saj, zonja Clinton synon që gjatë debatit të sigurojë mbështetësit e saj dhe të promovojë mesazhin për ndërtimin e një ekonomie më gjithëpërfshirëse. Ajo u shpreh gjatë një tubimi në Orlando, të Floridës, se “ne kemi të gjithë vlerë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendin më të mirë në botë, ne besojmë se të gjithë lindin të barabartë!”.

 

Rritet vëmendja ndërsa sondazhet po tregojnë rezultate të afërta

 

Nga tre debatet presidenciale, debati i parë është tradicionalisht më i ndjekuri, dhe po zhvillohet në një moment kritik, thotë Matthew Dallek i Universitetit “George Washington”. “Tashmë rezultatet janë shumë më të barabarta se ç’pritej, kështu që debati ka peshë më të madhe për të dy kandidatët”, thotë ai.

 

Debatet televizive presidenciale filluan në vitin 1960, me një debat ndërmjet Richard Nixon dhe John Kennedy. Që nga ajo kohë, debatet televizive kanë ndikuar në disa gara presidenciale. “Në një vit normal, debatet janë mënyra e vetme për ta ndryshuar garën pas mbarimit të konventave të partive. Është momenti kur numri më i madh i njerëzve ndjekin garën nëpërmjet mediave,” thotë profesori për qeverisjen në Universitetin “George Mason”, Jeremy Mayer.

 

Sa po përgatiten?

 

Zoti Trump dhe zonja Clinton duket se po përgatiten në mënyra të ndryshme për debatin. Zonja Clinton mendohet se i ka kushtuar më shumë energji përgatitjes për debatin, duke u përballur madje me persona në rolin e zotit Trump.

 

Ndërsa nga kampi i kandidatit republikan mësohet se puna e tij përgatitore ka qenë më pak intensive. Ai vetë madje shpotiti zonjën Clinton gjatë një tubimi në Pennsylvania, duke u shprehur se: “disa thonë se po përgatitet për debatin; të tjerë thonë se ajo po fle gjumë”.

 

Demokratët shpresojnë se kandidati republikan do të shfaqet i pakujdesshëm në debat dhe në përputhje me paraqitjen e tij gjatë debateve paraprake republikane. Por, duket se stafi i ri i fushatës së zotit Trump ka patur sukses në ruajtjen e përqëndrimit të tij dhe në shmangien e kryerjes së sulmeve personale.

 

Një tjetër audiencë

 

Të dy kandidatët u paraqitën mirë gjatë debateve paraprake të partive të tyre. Një mendim ekziston se zoti Trump fitoi nominimin republikan duke e shfrytëzuar në maksimum mundësinë dhe duke sulmuar rivalët Jeb Bush, Marco Rubio dhe Ted Cruz.

 

Por, zoti Trump do të jetë përpara një audience tjetër gjatë debateve me zonjën Clinton. Ai do të mundohet të përmirësojë imazhin e tij me votuesit e moderuar republikanë dhe të pavendosurit, të cilët nuk do të fitoheshin nëpërmjet llojit të sulmeve partiake që ai përdori gjatë debateve paraprake.

 

Zonja Clinton do të ndërtojë mbi eksperiencën e saj të mëparshme gjatë debatit paraprak me rivalin kryesor, Senatorin Bernie Sanders. Zonja Clinton ia doli mbanë përgjithësisht të ruante staturën gjatë debateve me zotin Sanders dhe madje e vendosi atë shpesh në pozita mbrojtëse, duke ngritur pikëpyetje mbi prakticitetin e disa prej propozimeve të tij.

 

Por, zonja Clinton përballet gjithashtu me sfida. Anketimet tregojnë se shumica e votuesve nuk i besojnë. Mënyra e debatueshme se si ajo menaxhoi çështjen e serverit të email-it të saj privat gjatë periudhës që ishte Sekretare Shteti vazhdon ta ndjekë atë edhe gjatë këtyre javëve të fundit parazgjedhore.

 

Natyra e paparashikueshme e zotit Trump përbën gjithashtu një sfidë për zonjën Clinton, ndërsa ajo përgatitet për debatin, thotë profesori Stephen Wayne, i Universitetit “Georgetown”. “Çështja është se Donald Trump nuk është aq i disiplinuar si Hillary Clinton. Nëse e prek në diçka personale, ai ka tendencën të reagojë në mënyrë personale.”

 

Mundësi dhe rreziqe

 

Të dy konkurrentët vuajnë prej një mospëlqimi të lartë nga votuesit dhe debatet ofrojnë mundësi të reja, por edhe rreziqe. Zoti Meyer thotë se “debati mund t’u ofrojë kandidatëve një shans të dytë për të krijuar një tjetër përshtypje, ose për të çimentuar përshtypjen negative”.

 

Gjatë viteve të fundit, debatet presidenciale nuk kanë patur ndikimin e zgjedhjeve të mëparshme. Profesori Wayne thotë se: “Mund të na kujtohen dy debate të rëndësishme në historinë amerikane: debati i vitit 1960, ndërmjet demokratit John Kennedy dhe republikanit Richard Nixon; si dhe ai i vitit 1976, ndërmjet republikanit Gerald Ford dhe demokratit Jimmy Carter. Në të dyja këto debate u bënë gabime dhe paraqitjet nuk ishin të duhurat, duke ndikuar për rrjedhojë në rezultatin e zgjedhjeve.”

 

Do të ketë gjithsej tre debate presidenciale, si dhe një përballje ndërmjet dy kandidatëve për zëvendëspresident, demokratit Tim Kaine dhe republikanit Mike Pence. /zeriamerikes.com

Filmi tërheqës i Oliver Stone për Eduward Snowden po shfaqet në kinema në mbarë botën. Xhirimet regjisori i ka realizuar kryesisht në SHBA dhe në Gjermani. Stone thotë, se në SHBA nuk i dhanë para për filmin.

 

image

 

Para nga Gjermania dhe Franca - jo nga Hollywoodi! Premiera botërore e filmit në kuadër të Festivalit të Filmit në Toronto në Kanada dhe jo në SHBA: Çfarë do të thotë kjo për Oliver Stone dhe filmin e tij "Snowden"? A nuk është ky një konfirmim i mesazhit thelbësor të filmit, që pikërisht zbulimi i inofrmacioneve sekrete nga whistleblower-i Edward Snowden si dhe përndjekja ndaj tij që pasoi prej autoriteteve të SHBA-së tregojnë një humbje dramatike për demokracinë?

 

Premiera e madhe në Toronto

 

Po dhe jo. Një premierë botërore për "Snowden" pati duke e përjashtuar publikun e gjerë, filmi u shfaq në korrik në San Diego në kuadër të "Comic-Con", pra në SHBA, në atdheun e regjisorit dhe të personazhit të filmit të tij. E Festivali i Filmit në Toronto konsiderohet gjithësesi si festivali më i rëndësishëm i kontinentit të Amerikës së Veriut. Në këtë festival u shfaq "Snowden" më 9.9. Më 16 shtator filmi nis të shfaqet zyrtarisht në kinema në SHBA. Publiku amerikan pra do ta shohë veprën e rëndësishme për whistleblower-in.

 

image

Oliver Stone

 

Po ashtu produksionet filmike të njërit prej regjisorëve më të rëndësishëm të SHBA-së si Oliver Stone shfaqen në Hollywood apo në Nju Jork shpesh herë me bujë të madhe duke shtruar tapetin e kuq dhe shoqëruar prej bliceve të kamerave e gjithçkaje tjetër që i përket një eventi të tillë. Shfaqja e filmit në kinema në SHBA u shty megjithatë. Ndërsa festivalet e filmave, që ditët e ardhshme prezantojnë produksionin "Snowden" janë të gjithë në Europë: në Helsinki, San Sebastian dhe në Zyrih. Ndërsa duket se publiku i kinematografisë së SHBA-së nuk është aq i interesuar që t'i kushtojë ndonjë vëmendje të veçantë këtij filmi.


Por më rëndësi se sa premiera ka fakti, që Oliver Stone filmin e tij nuk do të kish mundur ta realizojë në SHBA. "Të gjitha studiot e mëdha e kanë refuzuar filmin, Hollywood-i është burracak", tha Stone në një intervistë, që i dha gazetës gjermane "Sonntagszeitung". Ndërsa për gazetën e përjavshme "Die Zeit" Stone vuri në dukje: "Njëra studio e madhe pas tjetrës refuzuan. Natyrisht askush nuk ishte udhëzuar prej NSA-së që të mos ngatërrohej me këtë histori. Por vendimi ishte një vetëcensurë."

 

image

Skenë nga filmi "Snowden"

 

Oliver Stone nuk është dokushdo. Regjsori, i cili në ditën e shfaqjes së filmit në kinema 15 shtator festoi 70 vjetorin e lindjes, është një ndër regjisorët më të rëndësishëm prej dekadash si dhe kineasti më me influencë në vend. Me veprat si "Platoon" (me temë lufta e Vietnamit), "Salvador" (mbi angazhimin e SHBA-së në Amerikën Latine), "Wall Street" (vështrim kritik në tregtinë e bursës) apo "JFK" (teoritë e komplotit mbi vrasjen e Kennedy-t) Stone vazhdimisht ka trajtuar tema delikate të politikës së jashtme dhe të brendshme të SHBA-së.

 

Filmat e tij kanë qenë të suksesshëm, por gjithmonë kanë hasur në kritika, kryesisht të atyre që janë ndjerë të prekur. Megjithatë kur një Oliver Stone nuk i financohet filmi që premton sukses në vendin e tij, kjo le hapësirë për spekulime.

 

Si qytetar ai nuk lejon t'i venë kapistallin, thotë Stone në intervistë për gazetën "Zeit": "Unë e pranoj, që përzihen roli im si kineast amerikan dhe si qytetar amerikan." Stone i duhej pra që për projektin e tij mbi "armikun numër 1 të Amerikës", i cili që nga viti 2013 qendron në azilim në Moskë, të siguronte para nga burime të tjera. Ai e ka financiar filmin "Snowden" pjesërisht me kapital francez dhe gjerman. Producenti nga Mynihu Philip Schulz-Deyle kontribuoi, pasi u bë e qartë, që Stone nuk mund të filmojë në SHBA dhe mblodhi pjesën më të madhe të parave 38 milionë Dollarë kosto për prodhimin.

 

Një pjesë e mirë e filmit është xhiruar në Gjermani. Në Bavaria-Studios të Mynihut u konstruktuan skenat e hotelit Mira të Hongkongut, ku Snowden qendroi pasi u largua nga SHBA-ja. Ndërsa katakombet e parkut Olimpik të Mynihut si dhe pallati historik i postës në kryeqytetin bavarez shërbyen për të krijuar dekoret e skenave në qendrën e NASA-së.

 

image

 

Filmi skicon me akribi formimin e Edward Snowden-it. Fillimisht si karrierist, mjaft inteligjent dhe një djalosh me kapacitet, i cili do t'i shërbejë vendit të tij. Por me kalimin e kohës Snowden gradualisht nis të vrasë mendjen, të shtrojë pyetje kritike derisa bëhet një punonjës kritik i shërbimit të fshehtë të SHBA-së. Kjo kritikë konsolidohet në mendime, se çfarë duhet të bëjë ai për t'u mbrojtur. Daljen në publik në vendin e tij Snowden e konsideron mjaft me risk. Ndaj ai vendos të arratiset jashtë shtetit.

 

"Snowden do të dëshironte të kthehej…"

 

 Nga kjo ngjarje Oliver Stone ka krijuar një politkrimi mjaft interesant që e mbërthen spektatorin. E kjonuk është një histori fiktive à la Hollywood, që u rrëfen Stone spektatorëve: Snowden vazhdon të jetë në azilim në Moskë. Nëse do të mundej, thotë Oliver Stone, atëherë Edward Snowden do të kthehej në atdhe. Por ndërkohë atij nuk do t'i garantohej një proces korrekt në SHBA.


Organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje ndërkohë presidentit Obama, që ta falë whistleblower-in. Edhe Stone ka kërkuar gjatë premierës botërore të filmit në Festivalin e Filmit në Toronto, që Snowden të falet. "Ne shpresojmë", tha ai, "që Obama-s t'i shkojë një shkëndijë në mendje." /Deutsche Welle Shqip

image

 

Shumë ekspertë thonë se fillimi i përdorimit të makinave pa shofer në shkallë të gjërë është i afërt, por askush nuk e di saktësisht se kur mund të ndodhë kjo. Pothuajse të gjithë prodhuesit e mëdhenj të makinave dhe disa nga gjigandët e tjerë të teknologjisë kanë nxjerrë në rrugë makina eksperimentale pa shoferë. Ajo që duket se mungon është aftësia kompjuterike e makinave që mundëson reagimin e tyre në situata të komplikuara gjatë lëvizjes së përditshme.

 

Makinat pa shofer janë vërtet automjetet e shekullit 21.

 

Edhe pse ideja për prodhimin e tyre ka ekzistuar që nga vitet 1930, vetëm përparimi i shpejtë i teknologjisë dhe rënia e çmimit të pajisjeve të sofistikuara u kanë mundësuar studiuesve të fillojnë prodhimin e makinave eksperimentale.

 

Ekspertët thonë se tani pyetja kryesore është se kur do të prodhohen makina pa shofer me kosto të përballueshme, e jo thjesht prodhimi i tyre. Megjithatë, ka ende disa pengesa.

 

Studiuesit në Universitetin Carnegie Mellon në Pitsburg kanë bërë prova me një furgon pa shofer të tipit Cadillac, që përshkoi pa probleme rrugën nga një shtëpi në periferi deri te aeoroporti i qytetit.

 

Por drejtuesi i këtij studimi, Profesor Raj Rajkumar, thotë se lëvizja e këtyre makinave brenda qytetit është çështje tjetër:

 

"Trafiku rreth universitetit mund të jetë shumë i rënduar, me lloje të ndryshme makinash, këmbësorë, çiklistë dhe njerëz që kalojnë rrugën jashtë kryqëzimeve e kështu me radhë."

 

Çdo vit më shumë se 1 milion njerëz vdesin dhe 15 milionë të tjerë plagosen nga aksidentet me makina, 90 për qind e të cilave shkaktohen nga njerëzit. Ekspertët thonë se makinat pa shoferë do të pakësonin në mënyrë dramatike këto shifra pasi ato do të respektonin kufizimet e shpejtësisë, shenjat rrugore dhe semaforët.

 

Audi, Tesla, Mercedes dhe kompani të tjera ofrojnë modele të makinave që mund të operojnë pa shofer, që mund të shmangin përplasjet dhe që reduktojnë stresin e ngarjes së makinës në autostradë.

 

Një pengesë e madhe mund të jetë përpjekja për të bindur njerëzit që të heqin duart nga timoni. Por Rajkumar thotë se kjo në fakt nuk kërkon aq shumë kohë:

 

"Ata fillojnë ta shohin se automjeti është shumë racional dhe drejtohet në mënyrë të sigurtë, dhe kështu, mësohen."

 

Pra, pjesa më e madhe e teknologjisë tashmë ekziston. Ajo që kërkohet është ulja e çmimit të këtyre makinave dhe programe kompjuterike më të sofistikuara për kontrollin e tyre.

 

"Unë mendoj se do të duhen rreth 10 vjet, ndoshta më shumë, për prodhimin e një makine pa shofer e cila mund të shkojë kudo" thotë profesori Rajkumar.

 

Por Google, Uber dhe disa kompani të tjera thonë se ata tashmë janë duke u përgatitur për të ardhmen më të largët, duke eksperimentuar me makina pa timon, gjë që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si i përdorim makinat sot. /zeriamerikes.com

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com