Piskama e dites

"NJERËZIT ME PASION MUND TA NDRYSHOJNË BOTËN PËR TË MIRË."


- Steve Jobs

image

 

Cili është sekreti i një jete të gjatë? Gjenet dhe...vezët. Këtë mund ta provojë italjanja Emma Morano, 116- vjeçare.

 

Ajo është njeriu më i moshuar i botës dhe e vetmja që ka lindur në shekullin e 19-të. Emma ka lindur më 27 nëntor të vitit 1899. Ajo thotë se han dy vezë në ditë, që kur mjekët i thanë se ishte anemike. Kjo ndodhi kur ajo ishte 20 vjeç, në vitin 1919. Emma Morano mendohet të ketë ngrënë mbi 100 mijë vezë gjatë jetës së saj të gjatë dhe vazhdon ende. Mjeku i saj, Dr. Carlo Bava thotë se Emma gjatë gjithë është ushqyer ndryshe nga dieta e rekomanduar sot: ajo han pak perime, pak fruta dhe…2-3 vezë në ditë.

 

Emma Morano ka qenë dikur e martuar, por pjesën më të madhe të jetës ajo ka jetuar vetëm. Dy nga motrat e saj jetuan mbi 100 vjeç. Mjeku i Emma Moranos thotë se genet e shkëlqyera janë sekreti i jetës së saj të gjatë, krahas me një rutinë të mirë të përditshme dhe një karakter të fortë… /zeriamerikes.com

Interesi i enciklopedistit dhe filozofit gjerman nuk lidhej vetëm me gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici, por edhe me shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

 

image
Portret i filozofit, Leibniz

Për shkak të natyrës së ashpër të territorit të tyre si dhe të karakterit të tyre gjysmë të egër shqiptarët nuk u janë nënshtruar në masë të madhe turqve dhe presin vetëm për një sinjal nga Perëndimi për t'u ngritur kundër sundimit turk – kështu shkruante në vitin 1672 Gottfried Wilhelm Leibniz (Lajbnic) në një nga shkrimet e tij të njohura në lidhje me popullisitë e krishtera në Perandorinë Osmane. Interesi i enciklopedistit dhe filozofit gjerman nuk lidhej pra vetëm me gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici kryesisht në historinë e albanologjisë, por edhe me shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

 

Interesi për gjuhën shqipe

 

Në disa letra në periudhën 1704-1715 Gotfrid Vilhelm Lajbnici ka shprehur disa mendime rreth diakronisë së gjuhës shqipe. Me shënimet e tij për prejardhjen e gjuhës shqipe, për përkimet dhe marrëdhëniet e saj me gjuhë të tjera indoeuropiane dhe njëkohësisht për mëvetësinë e saj nga gjuhët sllave apo greqishtja, ai nxiti në radhët e studiuesve debatin shkencor për origjinën e gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu ai është edhe nismëtari i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe.

 

Populli dhe trevat e shqiptarëve

 

I pajisur me dije të mëdha enciklopedike shënimet për shqiptarët dhe trojet e tyre gjenden që në shkrimet relativisht të hershme të Lajbnicit. Por më pas shqiptarët do të zënë vend në shkrimet e tij politike me një synim të caktuar. Fjala është për Perandorinë Osmane dhe parandalimin e rrezikut prej turqve për Evropën dhe për mundësinë e përfshirjes së popullsive të krishtera, ndër të tjera edhe të shqiptarëve të krishterë, në luftë kundër Portës së Lartë. Pas këtij shkrimi në vitin 1672, ai merret më intensivisht me shqiptarët gjatë një qëndrimi në Vjenë në periudhën 1688-1689.

 

Rast i favorshëm për Portën e Habsburgëve

 

Në një memorandum për kaizerin austro-hungarez Leopoldi I, në shtator 1688, ai pasi përshkruan historinë e vendit dhe të shqiparëve nga antikiteti deri tek lufta e tyre dhe e Skëndërbeut kundër turqve, ai thotë se tani është një rast i favorshëm për Portën Habsburgase që ta përfshijnë këtë vend të mrekullueshëm përgjatë Adriatikut në territorin e perandorisë. Si arsye ai sjell jo vetëm pozitën strategjiko-politike të këtij rajoni, që do t'i hapte Perandorisë Austro-Hungareze hapjen e një rruge të re tregtare detare, por edhe tokat pjellore të rajonit, leshin shqiptar që nuk është aspak më pak i vlefshëm se ai spanjoll dhe që mund të përdoret për prodhimin e veshjeve dhe ushtarët që mund të rekrutohen në ato zona, të cilët pasi të kenë mësuar të respektojnë urdhërat dhe t'i binden disiplinës sipas modelit perëndimor, nuk do të mbeteshin pas të tjerëve.

 

Jo vetëm interesa shkencore

 

Nga këndvështrimi i sotëm ky memorandum ka orientim kolonialist apo imperialist, aq më tepër që zhvillimet e mëvonshme politiko-ushtarake në Ballkan dhe politika e zgjerimit e Portës Habsburgase përkojnë në shumë pika me idetë e Lajbnicit. Duke përshkruar pozitën e favorshme strategjike dhe përfitimet e mundshme tregtare për të tërhequr vëmendjen e Habsburgëve për Ballkanin Perëndimor, Lajbnici duket se synon jo vetëm çlirimin e këtij rajoni prej osmanëve, por edhe përfshirjen e tyre nën protektoratin e Portës Habsburgase. Ai vetë duket se, si edhe ndonjë studiues tjetër më vonë, ka dashur t'i shfrytëzojë ambiciet politike të monarkisë austro-hungareze për të nxitur karrierën e tij dhe për të financuar studime të mëtejshme. Në periudhën kur përpiloi këtë memorandum enciklopedisti dhe filozofi Lajbnic synonte të tërhiqte vëmendjen e Perandorit -kaizerit Leopoldi I për të kapur ndonjë pozicion të përshtatshëm në oborrin perandorak të Austro-Hungarisë. /Deutsche Welle Shqip

image

 

Inxhinierët në Britani po punojnë për ndërtimin e një motori të avancuar për raketat, i cili një ditë mund të ndryshojë natyrën e udhëtimeve ajrore. Sipas parashikimeve, synimi është që pasagjerët të kryejnë një udhëtim nga Londra në Sidnej të Australisë brenda katër orësh. Teknologjia e re që po përdoret mund të bëjë të mundur një ditë që avionët e pasagjerëve të udhëtojnë me një shpejtësi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit.

 

Mund të tingëllojë si film fantastiko shkencor, por udhëtimi me një mjet ajror, që mund të përshkojë botën brenda disa orësh, nuk është larg realitetit. Kompania britanike “Reaction Engines” njoftoi kohët e fundit se ka siguruar fondet për hulumtime në zhvillimin e motorit reaktiv SABRE, një motor i ri për flutime në hapësirë. Alan Bond është themelues i kompanisë “Reaction Engines”.

 

“Po përpiqemi të revolucionarizojmë transportin ajror përmes motorëve të shpejtë që të kemi qasje kudo në botë brenda një afati kohor prej katër orësh.”

 

Kompania ka kombinuar teknologjinë e motorëve të avionëve reaktiv dhe atyre të raketave. E reja e kësaj teknologjie, është sistemi i shkëmbimit të nxehtësisë, që funksionon në mënyrë të tillë: ajri i marrë nga atmosfera ftohet me shpejtësi të madhe nga 1 mijë gradë celsius në minus 150 gradë celsius. Më pas ajri i ftophurt digjet me hidrogjen të lëngëshëm në dhomën e djegies së motorit.

 

Kompania Reaction Engines Ltd. thotë se sistemi në fjalë është tejet i lehtë, që do të thotë se mund të përdoret në mjete hapësinore. Kur mjeti fluturues del nga atmosfera e tokës, ai shndërrohet në një motor të zakonshëm rakete, duke përdorur për djegie oksigjenin në bord. Inxhinierët thonë se kjo teknologji i mundëson aeroplanit të fluturojë brenda atmosferës me një shpejtësi deri pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit ose madje të fluturojë drejtpërdrejtë në orbitë.

 

“Për shembull, një aeroplan me 300 pasagjerë mund të shkojë nga Evropa në Australi brenda katër orësh e gjysëm”, thotë zoti Bond.

 

Një perspektivë emocionuese për industrinë e aeronautikës, një avion që mund të fluturojë dy herë më shpejtë se Concorde. Eksperti i aviacionit, Tilmann Gabriel thotë se prova e vërtetë do të jetë nëse industria do të ketë përfitime monetare.

 

“Në kushtet aktuale, asnjë linjë ajrore nuk po rrezikon me avionë të tillë. Është mirë të kesh mjete të tilla por nuk ka përfitime. Në botën e sotme, avionët duhet të jenë krejtësisht komercialë, të kenë fitime, të jenë efikasë, të respektojnë rregullat dhe të jenë tejet miqësor me mjedisin.”

 

Një zbatim i mundëshëm afat shkurtër mund të jetë përdorimi i motorave SABRE në aeroplanët me telekomandë për të transportuar ngarkesa apo satelitë në orbitë. Avioni mund të ngrihet nga pista të zakonshme, pastaj të përdorë motorin e ri për të arritur në orbitë. Të lërë ngarkesën atje dhe të kthehet në tokë dhe të ulet si avionët e zakonshëm. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pas vendimit të kohëve të fundit të Agjencisë Evropiane të Hapësirës për të investuar 10 milionë euro në përpjekjet për zhvillimin e motorit SABRE.

 

“Agjencia Evropiane e Hapësirës ka interes në zhvillimin e këtij motori që të përdoret në vend të raketave ruse për të shkuar në stacionin hapësinor ose dërguar satelitët në hapësirë”, thotë eksperti Tilmann Gabriel.

 

Kompania Reaction Engines thotë se ka në plan që prototipi i parë i motorit SABE për demostrim të jetë gati nga viti 2020.

 

Zoti Gabriel thotë se zhvillimi i teknologjisë së re të aviacionit kërkon kohë. Ai shton se zakonisht duhen pesë deri gjashtë vite për ndërtimin e një avioni dhe testimin e tij, ndërkohë që ky motor i teknolgjisë së lartë do të kërkojë shumë më shumë kohë për ndërtimin dhe testimin. /zeriamerikes.com

image

 

Të martën (sot), votuesit amerikanë do të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një president apo presidente të re. Zgjedhja mes kandidates demokrate Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump shfaq polarizimin politik në Shtetet e Bashkuara. Dhe shumë ekspertë paralajmërojnë se ndarja e mprehtë nuk ka gjasa të lehtësohet pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush do t’i fitojë ato.

 

Janë ditët e fundit para Ditës së Zgjedhjeve, dhe kandidatët Clinton dhe Trump janë duke bërë përpjekjet e fundit për të fituar vota në shtete të lëkundura.

 

Kandidati Trump vazhdon me përpjekjet në shtetin e Floridës.

 

“Jemi në prag të një ndryshimi të pabesueshëm historik, i cili do të transferojë pushtetin nga një strukturë politike e dështuar në duart e familjeve tona, komuniteteve dhe qytetarëve, në duart tuaja” tha ai.

 

Zonja Clinton u përpoq të rrisë mbështjetjen e saj në shtetin e Arizonës, i cili zakonisht voton për republikanët.

 

“Kur fëmijët dhe nipërit tuaj do t’ju pyesin se çfarë keni bërë në vitin 2016, dua që të jeni në gjendje të thoni se kam votuar për një Amerikë më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë” tha ajo.

 

Të dy kandidatët janë përqëndruar të rrisin mbështetjen e tyre, dhe zonja Clinton shpreson të ri-aktivizojë koalicionin që zgjodhi dy herë Barack Obamën, thotë strategu republikan John Feehery.

 

“Është një parti liberale, progresive, e përbërë nga koalicione etnike. Ndërsa Partia Republikane është një koalicion votuesish përgjithësisht të bardhë, në vija të ndryshme konservatizmi” tha ai.

 

Përderisa shumica e votuesve janë përkrahës të njërës ose tjetrës palë, është e vështirë të fitohen votat e anës tjetër, thotë ekspertja Jennifer Lawless.

 

“E kemi kaluar tashmë pikën ku njerëzit që janë përkrahës të një partie, do të kalojnë vijat partiake për shkak të gjinisë së njërit prej kandidatëve ose për shkak të disa veçorive të padëshirueshme”.

 

Dhe pavarësisht rezultatit të së martës, ndarjet partiake do të qëndrojnë, thotë historiani Allan Lichtman.

 

“Mendoj se nuk ka rëndësi se cili kandidat fiton. Polarizimi politik vetëm më keq do të bëhet”.

 

Zoti Lichtman beson se shumë demokratë do ta kenë të vështirë të pranojnë një fitore të kandidatit Trump.

 

“Donald Trump ka poshtëruar aq shumë njerëz në Amerikë, dhe madje tha se do të burgosë kundërshtaren e tij nëse fiton zgjedhjet. Prandaj mendoj se shumë përkrahës të zonjës Clinton nuk do ta pranojnë legjitimitetin e një presidence të Donald Trump-it”.

 

Por një fitore e zonjës Clinton mund t’i ashpërsojë mbështetësit e zotit Trump, thotë Scott Faulkner.

 

“Ajo është krejtësisht e pasinqertë dhe e korruptuar, një nga njerëzit më të pasinqertë që ka marrë ndonjëherë emërimin e një partie kryesore”.

 

Por pyetja kryesore është nëse kushdo që fiton zgjedhjet, do të jetë në gjendje të bashkojë vendin pas të martës, thotë historiani Lee Edwards.

 

“Kushdo që të fitojë, do t’i duhet të punojë për të minimizuar ndarjet dhe për të bashkuar vendin. Ajo do të jetë detyra e tyre, sepse, në fund të fundit, njëri prej tyre do të jetë president për të gjithë amerikanët”.

 

Duke patur parasysh dallimet e mprehta që kanë ekzistuar në vend për dekada të tëra, përpjekjet për të bashkuar vendin pas këtyre zgjedhjeve përçarëse ka të ngjarë të jetë sfida më e madhe politike e presidentit të ardhshëm, qoftë zonja Clinton apo Trump-i. /zeriamerikes.com

image

 

Për shekuj me radhë, fanarët drejtuan anijet në mënyrë të sigurtë përmes shkëmbinjsh nënujorë dhe korridoreve shkëmbore për në porte. Por përparimet teknologjike të lundrimit si radarët dhe sistemet e pozicionimit global satelitor, i kanë nxjerrë ata jashtë përdorimit. Qindra prej këtyre ndërtesave të shtrira përgjatë brigjeve amerikane u braktisën, u rrënuan ose u shkatërruan. Në rajonin e Liqeneve të Mëdhenj, njerëz të devotshëm po përpiqen të ruajnë këto objekte të bukura arkitektonike.

 

Ka gjithnjë diçka speciale që lidhet me fanarët.

 

Ata janë të gjithë ndryshe, kështu që ruajtja e tyre është si të ndërtosh një koleksion. Dhe si të gjitha objektet historike, të ngjallin nostalgji.

 

“Ky fanar më lidh me gjyshërit. Këtu gjej rrënjët e mia”, thotë John Scripp, vullnetar.

 

Fanari North Point në Liqenin Michigan të Milluakit është restauruar plotësisht dhe është hapur për publikun.

 

"Ai u ndërtua në vitin 1854, dhe drita u ndez në vitin 1855."

 

Por fanarët e ndërtuar në zona të largëta provuan se janë shumë më të vështirë të restaurohen dhe kërkojnë burime të mëdha.

 

Fanari Austin Reef në Liqenin Huron u braktis në vitet 1950. Vetëm një dritë automatike e tij punonte. Në vitin 2011, qeveria lejoi vullnetarët lokalë ta restauronin dhe ajo që dukej një punë dy vjecare, u kthye në një projekt që zgjati dekada të tëra.

 

“Nuk menduam më shumë sesa një ose dy vjet punë për të gjitha projektet që kishim. Dhe ja ku jemi këtu edhe 30 vite më pas”, thotë Marv Kuziel.

 

Në fillim të viteve 2000, shumica e fanarëve në Shtetet e Bashkuara ishin drejt rrënimit. Qeveria i hodhi në ankand ose thjesht i fali më shumë se 100 të tilla përgjatë Liqeneve të Mëdhenj.

 

Entuziastët u hodhën në veprim edhe pse e dinin se detyra ishte e vështirë.

 

“Erdhëm këtu dhe shumica e dhomave, sidomos në katet e poshtme, kishin ndoshta 80 centimetra jashtëqitje zogjsh që na u desh ta hiqnim me lopata. ”

 

Puna u bë më e lehtë kur u përfshinë autoritetet lokale. Kohët e fundit bashkia Port Washington, në Liqenin Michigan, u bë pronare e një fanari 81 vjecar.

 

“Ishte vendimi i duhur. Njerëzit donin që fanari të ishte në pronësi të një kompanie lokale,” thotë Tom Mlada, kryetar i bashkisë së Port Uashingtonit.

 

Qyteti ka në plan të fillojë mbledhjen e donacioneve për një projekt 1.5 milionë dollarë, ndërsa banorët mezi presin të fillojë restaurimi i strukturës së vjetër në fundin e skelës. /zeriamerikes.com

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com