Piskama e dites
Personi më i rrezikshëm është ai i cili dëgjon, mendon dhe vëzhgon.

- Bruce Lee

Në 2015-ën mijëra vetë u përpoqën të gjejnë me kërkesa për azil një vend pune në Gjermani. Qeveria gjermane krijoi një alternativë. Atë po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë vetë.

 

image

 

Për shumë të papunë në Ballkanin Perëndimor Gjermania është vendi i ëndrrave. Programi i nisur një vit më parë për punëtorët imigrantë nga Ballkani Perëndimor ka gjetur jehonë të mirë në rajon. Në njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit 2016, Agjencia Federale për Punën (BA) u dha leje pune - zyrtarisht miratim paraprak - tri herë më shumë meshkujve dhe femrave nga Ballkani Perëndimor se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rezulton në një bilanc provizor të Agjencisë me qendër në Nyrnberg.


Deri në fund të nëntorit patën marrë leje nga Agjencia për të punuar në Gjermani rreth 50.000 shqiptarë, boshnjakë, serbë, malazezë, maqedonas dhe kosovarë. Për këtë ata qenë të detyruar të paraqisnin një ofertë të caktuar që e kanë pasur nga Gjermania për punë ose për të kryer një kurs kualifikimi. Midis janarit dhe nëntorit 2015, një leje të tillë e morën vetën 16.500 vetë.


Qeveria federale gjermane reagoi me programin për punëtorët imigrantë ndaj rritjes masive të numrit të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor. Meqenëse shumica patën ardhur për shkak të punës në Gjermani, Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) i refuzoi gati 100 përqind kërkesat e tyre për azil. Rregulli i ri u lejon njerëzve nga Ballkani Perëndimor që të vijnë si imigrantë punë në Gjermani - me kusht që të mos kenë përfituar në dy vitet e fundit shërbime nga ligji për shërbimet ndaj azilkërkuesve.

 

Më shumë aplikime nga Kosova

 

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, ata që e përdorin më shumë programin janë kosovarët: numri i lejeve të punës të dhëna kosovarëve në njëmbëdhjetë muajt e parë të 2016-ës u shtua me 263 përqind, duke arritur 16400 leje pune të dhëna, i ndjekur nga boshnjakët me 15400 vetë (shtesë prej 245 përqind) dhe serbët me 10350 leje pune të dhëna (një shtesë prej 283 përqind). Në më shumë se 10.000 raste, Agjencia Federale e Punës i refuzoi kërkesat nga Ballkani Perëndimor.


Ministria Federale e Punës ndërkohë tërheq vëmendjen në faktin se jo çdo dhënie miratimi paraprak për të nisur punë në Gjermani bëri që të prekurit të largoheshin nga atdheu në drejtim të Gjermanisë. Këtë e tregon numri i vizave të punës të dhëna në fakt nga përfaqësitë diplomatike gjermane në botën e jashtme. Deri në fund të nëntorit, sipas dijenisë së Ministrisë, të cituar nga dpa, u dhanë vetëm 14426 viza pune ndaj qytetarëve të gjashtë shteteve ballkanike. Por numri i miratimeve paraprake për leje pune megjithatë ishte katër herë më i lartë.


Vetë Ministria e Jashtme gjermane flet për 21000 kërkesa të përpunuara për një vizë pune në përfaqësitë diplomatike në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup dhe Tiranë. Ky numër i përfshin edhe kërkesat e refuzuara. Ministria e Jashtme gjermane bën të ditur se "përmes rregullit të ri për shtetet e Ballkanit Perëndimor, mundësitë e imigrimit për punës janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, kështu që në bazë të kësaj kemi një rritje të madhe të shifrave të atyre që kërkojnë viza." /Deutsche Welle Shqip

Profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti thotë se nuk ka përgjigje fetare rreth festimit apo jo të Vitit të Ri sipas kalendarit gregorian. Shfrenimet e njerëzve, sipas tij, nuk janë të shëndetshme as në aspektin etik

 

image

 

Profesori i studimeve islame dhe njëri nga teologët më bashkëkohor në Prishtinë, Xhabir Hamiti kundërshton shumicën e klerikëve islam që ndalojnë festimin e vitit të ri sipas kalendarit gregorian. Ai thotë se nuk është e ndaluar nëse festohet ndërrimi i moteve sipas kalendarit me të cilin punon shoqëria.

 

Në emisionin “Komitet” të Express, ai ka folur edhe për festimin ose jo i festës së Vitit të Ri nga myslimanët. Hamiti ka thënë se nuk ka përgjigje fetare dhe nuk ka nevojë për diçka të tillë për festimin e një feste për nder të fundit të vitit.

 

Megjithatë, ai ka thënë se mënyrat me anë të të cilave festohet viti i ri dhe që sipas tij, sjellin shfrenim të njerëzve, nuk janë të shëndetshme as në aspektin fetar, por edhe edukativ dhe etik. /albinfo.ch

 

image

 

Silicon Valley në Kaliforni, e njohur si qendër globale e novacionit të teknologjisë së lartë, është edhe një shembull suksesi për imigrantët. Në vitin 2013, dy kompani të reja të themeluara nga imigrantë ishin mes të pesë kompanive më të mëdha në Silicon Valley për nga kapitali që mblodhën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam i hedh një vështrim suksesit që të sapoardhurit në Amerikë kanë gjetur në industrinë e teknologjisë.

 

Silicon Valley në Kaliforni ofron një platformë ku ëndrrat mund të kthehen në realitet. Për shumë imigrantë, ardhja në Amerikë është objektiv më vete. Të tjerët ëndërrojnë më shumë.

 

Qasar Younis është një shembull i tillë. Sot, ai është një nga drejtuesit e një prej firmave më të mëdha financiare në Silicon Valley, “Y Combinator”. Ai është rritur në një fshat të largët të provincës Punjab në Pakistan dhe thotë se e dinte se mund të arrinte sukses të madh në Silicon Valley:

 

"Mendoj se përveç Amerikës, Silicon Valley është një pjesë unike e përvojës sime. Më shumë se gjysma e kompanive në Silicon Valley janë themeluar nga imigrantët."

 

Younis, dikur pronar i një kompanie që e kishte themeluar vetë, tani është drejtues ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”, e cila ndihmon bizneset e reja.

 

Zoti Younis është një investitor i cili beson se kompanitë e reja do të kenë sukses dhe në këmbim të huazimit të parave në formë kredie ai merr një pjesë të pronësisë së kompanisë. Qasar Younis bër kalimin nga pronar i një kompanie të re në një kompani financiare, por një tjetër imigrant nga Pakistani, Dilawar Syed, bëri të kundërtën.

 

“Freshdesk”, një kompani me bazë në San Francisko, përmes sistemit “Cloud” të ruajtjes së të dhënave, ndihmon bizneset në menaxhimin e shërbimeve për konsumatorët. Presidenti i kompanisë, Dilawar Syed thotë se Silicon Valley ofron mundësi të mëdha për imigrantët:

 

"Mendoj se Sillicon Valley është unike sepse është një ekosistem i cili u ofron mundësi njerëzve të mësojnë, të përparojnë, të ndërmarrin projekte me rrezikshmëri të lartë, të dështojnë dhe pastaj në shumë raste të bëhen të suksesshëm në një mënyrë spektakolare."

 

Pra, cili është sekreti i Silicon Valley?

 

"Rreziko dhe mos ki frikë nga dështimi." - thotë Dilawar Syed, President i kompanisë “Freshdesk”.

 

"Së pari bëhu inxhinier, së dyti themelo kompaninë tënde në vend që të punosh për dikë tjetër."- thotë Qasar Younis, Shef Ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”.

 

Dy histori suksesi në Silicon Valley që shpresojnë të frymëzojnë brezin e ardhshëm të sipërmarrësve. /zeriamerikes.com

Sulmet e qarqeve ekstreme islamiste në Gjermani janë evituar deri tani. Me një përjashtim.

 

image

 

Tetor 2016 - Leipzig


Siriani Dschaber al-Bakr arrestohet në Leipzig, pasi e kapën disa bashkëatdhetarë të tij. 22-vjeçari kishte siguruar mjete shpërthyese me qëllim që të sulmojë aeroportin në Berlin apo dhe objektiva të tjera. Pak pas arrestimit Al-Bakr kreu vetëvrasje në burgun e Lajpcigut.


24 korrik 2016 - Ansbach


Në hyrje të festivalit muzikorm, refugjati 27-vjeçar nga Siria, Mohammed D. hodhi veten në erë duke plagosur shumë njerëz. D. është deklaruar si pjesë e IS. Ky njeri me probleme psiqike ka marrë udhëzime me telefon për këtë shpërthim. IS pohon se kjo ishte vepër e tij.


18 korrik 2016 - Würzburg


Një 17-vjeçar, refugjat nga Afganistani, sulmoi me një sopatë dhe thikë shumë udhëtarë në një tren rajonal në Würzburg. Shumë persona u lënduan, pjesërisht rëndë. Autori i sulmit u vra nga policia gjatë përpjekjeve për të ikur. Sulmi ishte me motiv islamike. Por nuk është e qartë nëse 17-vjeçari ka pasur kontakte me IS-in, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Hetuesit mendojnë se ai është radikalizuar vet.


Maj 2016 - Düsseldorf


Tre persona të dyshuar të IS-it u arrestuan në Renaninë Veriore-Vestfali, Brandenburg dhe Baden-Vyrtemberg. Autoritetet kanë arrestuar edhe një person të katërt në Francë, për të cilin dyshohet se ka pasur lidhje me këtë grup dhe ka planifikuar sulme në Dyseldorf. Qëllimi ishte vrasja e sa më shumë civilëve me mjete shpërthyese.


Prill 2016 - Esen


Si pasojë e një sulmi me mjete shpërthyese në një tempull fetar të bashkësisë fetare Sikh në Esen u plagosën tre persona, njëri prej tyre rëndë. Më pas u arrestua një i mitur, i dyshuar për këtë vepër, për të cilin dyshohet se ka lidhje me skenën salafiste në Gjermani.


26 shkurt - Hanover


15-vjeçarja Safia S. sulmon një polic gjaë një kontrolli në stacionin e trenave në Hanover. Nëpunësi u plagos rëndë me armë të ftohtë, të rrezikshme për jetën. S. planifkionte, sipas policisë, t'i bashkangjitet milicëve terroristë të "Shtetit Islamik".


Shkurt 2016 - Berlin


Policia zbulon një rrejt të dyshuar terrorist dhe njëkohësisht bën arrestime në shumë lande: Berlin, Renani´ Veriore-Vestfali, Saksoni e Poshtme. Katër algjerianë të arrestuar dyshohen për planifikimin e sulmeve terroriste në Berlin. Planifikimet ishin në fazën fillestare.


Prill 2015 - Oberursel


Policia e Hesenit arreston në Oberursel një çift të dyshuar për përkatësi salafiste dhe planifikimin e një sulmi terrorist. Objkektivi i tyre ishte një garë çiklizmi, e cila u shty. Në shtëpinë e këtij çifti u gjet një mjet shpërthyes. Burri u dënua me 2,5 vjet heqje lirie, por nuk ka të dhëna konkrete për afërsinë e tij me IS. Gruaja është liruar nga akuzat.
Dhjetor 2012 - Bonn
Në stacionin e trenave në Bon gjendet një çantë me lëndë shpërthyese. Prokuria federale mendon se pas kësaj tentative për shpërthim qëndrojnë qarqet radikale islamike. Më 2013 arrestohen katër persona, të cilët dyshohet se kishin planifikuar një sulm ndaj shefit të grupit ekstremist "Pro NRW". Mendohet se njëri prej tyre ka vënë edhe bombën në Bon. Procesi gjyqësor kundër tyre ka filluar në shtator 2014 në Dyseldorf.


Prill 2011 - Düsseldorf


Hetuesit arrestojnë në Dyseldorf tre persona të dyshuar si anëtarë të Al-Kaidës, nën akuzën për përgatitjen e sulmeve terroriste në Gjermani. Në dhjetor 2011 në Bochum arrestohet edhe një person tjetër, si anëtar i "Celulës nga Dyseldorfi". Katër personat u dënuan në fund të vitit 2014 me heqje lirie në kohëzgjatje prej shumë vitesh.


Mars 2011 - Frankfurt



Në mars 2011 u krye një sulm terrorist në aeroportin e Frankfurtit. Një shqiptar nga Kosova vraru dy ushtarë amerikanë dhe plagosi dy të tjerë. Ai është denuar me burgim të përjetshëm.


Shtator 2007 - Oberschledorn, Sauerland


Arrestohet grupi islamik "Sauerland-Gruppe". Më 2010 dënohen katër anëtarët e grupit terrorist për sulme të planifikuara në diskoteka, aeroporte dhe bazat amerikane në Gjermani. Ata janë denuar me dënime deri në 12 vjet.


Korrik 2006 - Këln


Në stacionin e trenave në Këln dy persona vendosën valixhe me lëndë shpërthyese, në trenat për qytetet Ham dhe Koblenz. Por lëndët nuk shpërthyen. Në dhjetor 2008, personi që i kishte vendosur këto bobma është dënuar me burgim të përjetshëm. /Deutsche Welle Shqip

image

 

Presidenti i zgjedhur Donald Trump u takua dje me drejtues të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike amerikane, shumë prej të cilëve ishin ndër kritikët më të ashpër të tij gjatë fushatës elektorale. Por, gjatë diskutimeve në takim nuk pati shenja të kësaj armiqësie.

 

Zyra e zotit Trump tha se ai dëshiron të fillojë një dialog dhe një partneritet për të nxitur novacionin dhe për të krijuar më shumë vende pune.

 

Në takimin në shtabin në Nju Jork të zotit Trump merrnin pjesë drejtorja e operacioneve të firmës “Facebook”, Sheryl Sandberg, drejtori i firmës “Amazon”, Jeff Bezos, drejtori i firmës “Tesla”, Elon Musk, si dhe bashkëthemeluesi i firmës “Google”, Larry Page.

 

Zoti Trump përdori një ton të përzemërt dhe pajtues në fillim të takimit.

 

“Janë të pashoq njerëzit që ndodhen në këtë sallë... Ne duam që të vazhdoni me inovacionin tuaj të jashtëzakonshëm. Do t’ju ndihmojmë me gjithçka që mundemi”, tha zoti Trump.

 

Zoti Trump u kërkoi drejtuesve t’i telefonojnë drejtpërsëdrejti sa herë dëshirojnë të bisedojnë dhe sugjeroi që të takohen rregullisht, ndoshta çdo tremujor.

 

Zyra e Presidentit të zgjedhur dhe se ai ishte i hapur dhe dëgjoi me vëmendje gjatë diskutimit dhe se kjo përqasje e tij u vlerësua së tepërmi nga drejtuesit e kompanive teknologjike.

 

Asnjë nga drejtuesit nuk foli pas takimit me gazetarët, por zoti Bezos qarkulloi një deklaratë ku diskutimi përshkruhej si shumë produktiv.

 

Ai njoftoi se pati ndarë pikëpamjen e tij që administrata duhet ta shndërrojë novacionin në një nga piketat e saj kryesore, si diçka që do të krijonte vende të shumta pune në të gjithë vendin, jo vetëm në teknologji, por edhe në të gjithë sektorët – në bujqësi, në infrastrukturë, në manifakturë dhe kudo tjetër.

 

Shumë nga drejtuesit e firmave teknologjike patën përpara zgjedhjeve mosbesim të fortë rreth presidencës Trump, për shkak të kritikës së tij të fortë ndaj Kinës, kërcënimeve për të anulluar marrëveshjet e tregtisë dhe planet për të ulur emigracionin, gjë që do të ulte numrin e punonjësve të kualifikuar për kompanitë teknologjike.

 

Dje, një letër e hapur drejtuar zotit Trump, e nënshkruar prej punonjësve të mbi 200 kompanive teknologjike, deklaronte zotimin e tyre për të mos e ndihmuar administratën e tij për krijimin e një regjistri njerëzish sipas përkatësisë së tyre fetare, apo për t’u përdorur për deportimin e tyre.

 

Gjatë fushatës, zoti Trump u përplas shpesh me kompanitë e Silicon Valley. Ai u bëri thirrje votuesve të bojkotojnë kompaninë “Apple” për shkak të qëndrimit të saj rreth privatësisë, si dhe premtoi që kjo firmë do të fillojë të prodhojë kompjuterat dhe celularët iPhone në territorin amerikan.

 

Ai u përball me drejtorin e firmës “Facebook”, Mark Zuckerberg, për çështjen e emigracionit dhe akuzoi zotin Bezos që po e përdor gazetën në pronësi të tij, “The Washington Post”, si një skemë për të shmangur taksat. E përditshmja me influencë ka kritikuar zotin Trump në faqen e saj editoriale.

 

Zoti Trump u premtoi drejtuesve të kompanive të teknologjisë se do të hartojë marrëveshje tregtie të drejta, të cilat do t’ua lehtësojnë atyre tregtinë me vende të tjera.

 

Përpara takimit, drejtuesja e kompanisë “Oracle”, Safra Catz, tha se nëse zoti Trump do të mundet të reformojë kodin e taksave, të pakësojë rregullat shtrënguese dhe të negociojë marrëveshje më të mira tregtare, atëherë komuniteti i teknologjisë në SHBA do të jetë më i fortë dhe më konkurues se kurrë më parë.

 

Po dje, zoti Trump emëroi zyrtarisht ish-guvernatorin republikan të Teksasit, Rick Perry, dikur kundërshtar i tij politik, për të drejtuar Departamentin e Energjisë, për të cilin zoti Perry pati thënë se duhej shkrirë.

 

Në fillimet e hershme të garës presidenciale, zoti Perry e pati quajtur zotin Trump “një kancer të konservatorizmit”. Por, pasi u largua vetë nga gara, e mbështeti kandidaturën e zotit Trump, duke e quajtur “zgjedhjen e popullit”.

 

Departamenti i Energjisë mbikqyr arsenalin bërthamor të SHBA-së dhe nxit zhvillimin e projekteve në mbrojtje të mjedisit.

 

Kritikët thonë se zoti Perry do ta heqë vëmendjen e departamentit ndaj energjisë së rinovueshme dhe do ta rikthejë tek nafta dhe burimet e ngurta energjitike, të cilat zoti Perry i promovoi në shtetin naftëmbajtës Teksas, të cilin e shndërroi njëkohësisht edhe në prodhues kryesor të energjisë nga era.

 

Presidenti i zgjedhur gjithashtu emëroi Ronna Romney McDaniel, kryetaren e Partisë Republikane në Miçigan, për të drejtuar Komitetin Kombëtar Republikan, që deri tani drejtohej nga Reince Priebus, i cili do të bëhet shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

 

Zonja McDaniel është mbesë e ish-kandidatit republikan për president, Mitt Romney, i cili ishte ndër kandidatët për sekretar shteti. Ajo do të jetë gruaja e parë kryetare që do të mbajë këtë post pas 40 vitesh, që nga viti 1974 kur ishte kryetare Mary Louise Smith nga shteti Iowa.

 

Zoti Trump mendohet se do të emërojë gjithashtu ligjvënësin republikan Ryan Zinke nga shteti Montana, një ish-anëtar i forcave speciale të marinës, për postin e Sekretarit të Brendshëm.

 

Gazeta “The Washington Post”, thotë se zoti Zinke ushtron prej kohësh gjuetinë dhe peshkimin, dhe se mbështet mbajtjen e tokës publike nën pronësinë e qeverisë federale. Kjo do të krijojë kundërshti mes tij dhe anëtarëve të Partisë Republikane që mbështesin privatizimin e tokave federale apo vendosjen e tyre nën kontrollin e shteteve amerikane.

 

Zoti Trump gjithashtu është shprehur kundër kalimit të tokës federale nën kontrollin e shteteve amerikane. /zeriamerikes.com

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com