Piskama e dites
Personi më i rrezikshëm është ai i cili dëgjon, mendon dhe vëzhgon.

- Bruce Lee

Hans Rosling ishte akademik i mjekësisë dhe profesor, i lindur në Uppsala të Suedisë.

 

Ai shquhej për prezantimet e tij të gjalla dhe me plot të dhëna (data). Kjo është një nga viti 2006.

 

image
image

 

Presidenti Donald Trump thotë se megjithëse e “respekton” Presidentin rus Vladimir Putin, ata mund të mos kenë domosdoshmërisht një marrëdhënie të mirë.

 

Në një intervistë për televizionin Fox News, presidenti Trump tha se “është më mirë të kesh marrëdhënie pozitive me Rusinë dhe nëse Rusia na ndihmon në luftën kundër ISISI-it, një luftë madhore dhe në atë ndaj terrorizmit islamik kudo në botë, do të ishte diçka e mirë”. Por ai shtoi se nuk e di nëse do të merret vesh me të.

 

I pyetur për mizoritë e kryera nga zoti Putin në të kaluarën dhe se si mund ta respektonte presidenti Trump atë, duke njohur historinë, zoti Trump e krahasoi Rusinë me Shtetet e Bashkuara.

 

Presidenti Trump tha se edhe në Shtetet e Bashkuara ka plot vrasës. “Si mendoni ju, se vendi ynë është aq i pafajshëm?” tha ai sipas disa pjesëve të intervistës që Fox News i publikoi, para transmetimit të plotë të saj pas disa orësh.

 

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, iu përgjigj këtyre komenteve në një intervistë për CNN-in, duke thënë se “nuk ka asnjë barazvlerë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Putinit. /zeriamerikes.com

Partia në pushtet në Serbi zotëron një ushtri të vogël, që lufton për të në internet. Me të krijohet një realitet paralel, në të cilin në Serbi të gjitha gjërat ecin si duhet dhe ku kritikët janë vetëm armiq të shtetit.

 

image

 

Kështjella, kështu e quan Marija "punëdhënësin" e saj të mëparshëm. Ajo qe angazhuar nga Partia serbe e Përparimit, e cila nën kryeministrin Aleksandar Vučić e drejton vendin gjithnjë e më shumë në të gjitha fushat në mënyrë autokratike. Prej kohësh ka pasur fjalë për një të ashtuquajtur ushtri "trollesh", personash që nxjerrin në internet në vazhdimësi komente false, të angazhuar në betejën e internetit.


Në forume, në komente dhe në rrjete sociale ata dalin të maskuar si "qytetarë normalë", të cilët brohorasin për qeverinë dhe shajnë kritikët. "Për mua qe e vështirë që ta bëja këtë, të fabrikoja afera të ndryshme, megjithëse e dija se bëhej fjalë për gënjeshtra", i tregoi Marija, e cila në të vërtetë quhet ndryshe, botimit serbisht të revistës Newsweek. Ajo është një ndër të paktat që ka folur për punën e saj si troll, edhe nëse e bëri këtë në mënyrë anonime. Ndoshta sepse Marija jeton sot jashtë vendit, e paarritshme edhe për krahun e gjatë të pushtetmbajtësve serbë.


Ajo që të frikëson në historinë e saj është para së gjithash niveli i organizimit - kontigjente trollesh ka në shumë qytete, zyra të fshehura, punë me turne dhe kapo, që vëzhgojnë gjithçka. Dhe ka para. "Të gjithë ne figuronim të punësuar si nëpunës civilë diku në administratën publike", pohon ajo. Paga: duke nisur nga 370 euro e lart, që i përgjigjet pagës mesatare në këtë vend të varfër ballkanik. "Puna si troll ishte për mua mbijetesa. Një punë për të qenë nuk gjeja dot, ky ishte burimi im i vetëm i të ardhurave."

 

Televizioni vjen i pari

 

Kryeministri popullor Vuçiç dhe partia e tij e Përparimit, erdhi pesë vjet më parë në pushtet dhe ka shënuar që atëherë vetëm fitore dërrmuese ndaj kundështarëve. Kjo në një kohë kur dora e fortë e Beogradit mblodhi në vitet nëntëdhjetë përvojë të mjaftueshme me propagandë dhe censurë. Në vitet e fundit të regjimit të Miloshevicit, kur pati shpërthyer lufta e Kosovës, nacionalisti luftarak Vučić ishte edhe ministër i Informacionit, një emërtim shumë thjeshtëzues. Sepse ajo që bënte ai ishin para së gjithash propaganda dhe censura. Por rikthimin në politikë me partinë e tij të re ai e festoi si politikan proevropian, i cili gjoja ka ndryshuar dhe që është i gatshëm të punojë ditë dhe natë për të mirën e popullit të tij. I parë me sytë e Brukselit, ai është një prototip i princit ballkanik, i cili para së gjithash bën një gjë - arrin rezultate.

 

image

 

Çelësi për popullaritetin e tij të pandërprerë janë stacionet televizive, që shihen në të gjithë vendin, thotë Mihailo Tesic. Eksperti i marketingut në Beograd kujton faktin që mesatarisht serbët vazhdojnë të rrinë pesë orë në ditë para televizorit dhe në sondazhe të ndryshme janë bërë disa herë kampionë bote. Nga ana tjetër, gjysma e popullatës e përdor internetin rregullisht, vetëm një e katërta informohet vetëm online, siç nxorri në pah një studim i qendrës kërkimore "Mendimi i ri politik i Serbisë".


"Interneti si kanal komunikimi është për qeverinë aq i rëndësishëm, sa e madhe është ushtria e saj e internetit", thotë Tesic në bisedë me DW. Nga kundërshtarët politikë dhe ata që mendojnë ndryshe kjo ushtri është zbuluar prej kohësh dhe ata tallen me të. Ajo i shërben në radhë të parë komentimit të teksteve në disa portale që ndiqen shumë. "Atje trollet duan të krijojnë përshtypjen se qytetarët e mbështesin pa rezerva politikën e qeverisë. Të tjerëve u mbetet vetëm të dorëzohen të demoralizuar", thotë Tesic.

 

Si lojë

 

Brenda për brenda, trupat e trollit i organizojnë aktivitetet e tyre si lojë, kjo dihet nga ata pak vetë që tregojnë. Ka disa platforma, ku drejtuesit e turnit ndajnë urdhërat dhe ku trollerat mund të shënojnë sa komente, pëlqej dhe tweet-e kanë postuar në to. Ato klasifikohen në bazë të sistemit të pikëve, prej të cilit varet vendi i tyre në hierarki si dhe paga. Megjithatë, komentet e trollereve mbeten shumicën e herëve pa fantazi. Veçanërisht i preferuar dhe i përdorshëm kudo është "Urime, Vucic". Punët e thjeshta e të fëlliqura teorikisht mund t'i kryejnë edhe bots, pra programe që hiqen sikur janë njerëz në internet. Por ato janë ende thjesht shumë budallaqe, për të shkruar si duhet në serbisht.


Fondacioni i Beogradit, Share, i cili studion mediet e reja thotë se në fillim "ne kujtuam se mediet sociale mund të jenë një themel i demokracisë, se e çlirojnë opinionin nga monopoli i informimit". Đorđe Krivokapić, drejtor i programit të fondacionit i thotë më tej DW: "Por kur nuk kemi liri në hapësirën reale, nuk mund të kemi as në atë digjitale." /Deutsche Welle Shqip

image

 

Sipas një studimi të ri, përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të çojë në depresion.

 

Në një shkrim të revistës “Computers in Human Behavior”, hulumtues nga Qendra për Kërkime në Media, Teknologji dhe Shëndet, në universitetin e Pitsburgut thonë se "përdorimi i platformave të shumta është i lidhur më ngushtë me depresionin dhe ankthin në mesin e të rinjve."

 

Në mënyrë të veçantë, studiuesit zbuluan se njerëzit që përdorin nga 7 deri 11 platforma të mediave sociale kanë tre herë më shumë gjasa për t’u prekur nga depresioni dhe ankthi se sa ata që përdorin nga zero në dy platforma.

 

Këto rezultate ishin të njëjta edhe kur përkthehen në orët totale që përdoruesit kalojnë në mediat sociale.

 

"Kjo lidhje është mjaft e fortë saqë mjekët mund ta marrin në konsideratë duke i këshilluar pacientët e tyre me depresion dhe ankth se ky përdorim mund të jetë e lidhur me simptomat e tyre," thoti autori kryesor dhe mjeku Brian A. Primack. "Ndërsa ne nuk mund të themi nga ky studim nëse njerëzit me depresion dhe ankth kërkojnë përdorimin e platformave të shumëfishta apo në se përdorimi i platformave të shumta mund të çojë në depresion dhe ankth. Por në secilin rast rezultatet janë potencialisht të vlefshme."

 

Për këtë studim, hulumtuesit shqyrtuan rastet e 1,787 të rriturve amerikanë mes moshës 19 dhe 32 vjeçare, për të përcaktuar lidhjen mes përdorimit të mediave sociale dhe depresionit. Sondazhi u shtri në 11 faqe të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, YouTube, Twitter, Snapchat, Pinterest, LinkedIn dhe të tjerë.

 

Ndërsa ata që përdorin mes 7 deri 11 prej këtyre platformave kanë tri-herë më shumë shanse për t'u prekur nga depresioni, Primack thotë se janë të nevojshme më shumë studime. /zeriamerikes.com

image

 

Edhe në kohët më të mira, qeveria e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me internetin.

 

Ankaraja vazhdimisht është përpjekur të kufizojë portalet e lajmeve dhe mediat sociale, si YouTube dhe Twitter gjatë periudhave të tensionit politik, apo thjesht për të bllokuar informacionin, kur mendon se ai është me përmbajtje fyese.

 

Tradicionalisht, bllokimet nuk zgjasin shumë dhe nuk kanë ndonjë efekt, pasi shumë njerëz në Turqi përdorin mjete të tilla si DNS ose Tor për të shmangur kufizimet.

 

Por pas ngjarjeve të fundit, si sulmi në klubin e natës Reina të Stambollit vrasja e ambasadorit rus Andrey Karlov, apo përpjekja për grusht shteti në korrik nga një fraksion i ushtrisë, qëndrimi i qeverisë së Erdoganit ndaj internetit është ashpërsuar në mënyrë të përhershme.

 

Analistët dhe organizatat e shoqërisë civile thonë se administrata e Erdoganit ka filluar të veprojë në mënyrë agresive për të kufizuar internetin si dhe aksesin e telefonisë celulare në internet. Për herë të parë, ajo nuk po shfaq shenja tërheqjeje.

 

Antipatia e zotit Erdogan ndaj internetit dhe mediave sociale nuk është e re.

 

"Tani ekziston një murtajë që quhet Twitter," tha ai në një tubim të vitit 2013. "Për mua, media sociale është kërcënimi më i rëndë për shoqërinë!"

 

Zoti Erdogan e ka quajtur Facebookun "imoral". Për të, YouTube është "një forcë gllabëruese". Ndërkaq, ai ka premtuar se do ta "zhdukë" Twitterin.

 

"Strategjia e Erdoganit është të demonizojë mediat sociale", thotë Zeynep Tufekçi, studiese e ligjit kibernetik në Universitetin e Karolinës së Veriut. "Kjo është një strategji e nxjerrjes së mediave sociale jashtë sferës së shenjtë, si përçarje e familjes, si kërcënim për unitetin dhe si një mjet i huaj që prish strukturën e shoqërisë," thotë studiuesja.

 

Departamenti amerikan i Shtetit ka mbajtur qëndrim kritik ndaj përpjekjeve të reja të autoriteteve turke për të bllokuar faqe të caktuara interneti apo disa portale dhe media sociale, duke i quajtur veprime të tilla si një cenim të fjalës së lirë.

 

Dhe në fakt, në të kaluarën, kufizime të tilla kanë qenë zakonisht jetëshkurtër, duke krijuar vetëm bllokime të përkohshme. /zeriamerikes.com

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com