Piskama e dites

"NJERËZIT ME PASION MUND TA NDRYSHOJNË BOTËN PËR TË MIRË."


- Steve Jobs

image

 

Sipas Institutit Global McKinsey, rreth një e treta e njerëzve që jetojnë në qytetet e botës banojnë në shtëpi me standarte të ulëta. Shkencëtarët mendojnë se ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet planimetrive falas në internet për ndërtimin e shtëpive me pjesë të parafabrikuara që përputhen plotësisht me njëra-tjetrën.

 

Popullsia e botës pritet të arrijë në mbi 8 miliardë deri në vitin 2030 dhe çështja e strehimit në qendrat urbane është që tani një problem madhor. Ndërtimi i shtëpive sipas mënyrës tradicionale kërkon ende javë ose muaj të tërë.

 

Në një lagje të Londrës, një grup vullnetarësh po ndërton shtëpitë e quajtura Wiki House, të përbëra nga panele kompensate dhe pjesë të prodhuara paraprakisht. Të gjitha pjesët janë prodhuar nëpërmjet një kompjuteri dhe bazuar në një planimetri të disponueshme falas në internet.

 

Bashkëthemeluesi i Fondacionit WikiHouse me qendër në Britani, arkitekti Alastair Parvin, thotë se kjo mund të jetë zgjidhja për strehimin.

 

“WikiHouse përmbledh një sërë teknologjish që synojnë të thjeshtojnë proçesin e ndërtimit të shtëpive, sa që gjithkush mund ta bëjë vetë. Për ta arritur këtë, po përdorim fuqinë e internetit dhe të teknologjive të prodhimit dixhital si printimi 3D.”

 

Prerja preçize mundëson përputhshmëri perfekte të të gjitha pjesëve, gjë që përshpejton proçesin e montimit. Nuk nevojiten vegla të posaçme.

 

Wiki House u ndërtua në 10 ditë për qëllime demonstrimi. Më pas, u çmontua dhe i rindërtua diku tjetër për t’u përdorur plotësisht.

 

Zoti Parvin thotë se i gjithë koncepti është i bazuar në planimetri të disponueshme në internet.

 

“Programe kompjuterike falas janë tashmë të disponueshme dhe përbëjnë bazën e programeve që përdorim ne. Ajo që po ndodh është se tani kjo po përkthehet në sende të prekshme; pra, ne po ndërtojmë një lloj enciklopedie Wikipedia të sendeve.”

 

Zoti Parvin thotë se projekti është në fazën e tij fillestare, me disponueshmëri ende të kufizuar. Megjithatë, ai mendon se projekti do të rritet ndërkohë që më shumë njerëz do të jenë të interesuar për ndërtim shtëpish, montimi i të cilave nuk kërkon aftësi të veçanta. /zeriamerikes.com

image

Kryetari i ri i Londrës, Sadiq Khan (djathtas) dhe gruaja e tij, Saadiya, 5 Maj 2016, Londër

 

"Unë quhem Sadiq Khan dhe jam kryetar i Londrës.”

 

Kështu e nisi fjalimin e tij kryetari i ri i Londrës, Sadiq Khan, gjatë ceremonisë së dhënies së betimit për pozitën e re, të mbajtur të shtunën në Katedralen Southwark, në qendër të Londrës.

 

Ai falenderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në ceremoni, duke thënë se ende nuk po i besohet për të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit.

 

“Jemi këtu, nëKatedralen Southwark, sepse dua që ta filloj punën si kryetar i qytetit ashtu edhe siç e kam ndërmend ta vazhdoj. Jam i vendosur ta kem administratën më transparente dhe më të angazhuar që ka parë Londra ndonjëherë. Dua që ta përfaqësoj çdo komunitet dhe çdo pjesë të qytetit, si kryetar, për të gjithë londinezët”, ka thënë Khan gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve në Katedrale.

 

Ndërsa kryetari i trupit drejtues të Katedrales Southward, Andrew Nunn, tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që kryetari i ri i Londrës po e mban ceremoninë e betimit aty.

 

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që u kërkua nëse ne mund ta udhëhiqnim këtë ceremoni të inaugurimit të Sadiq Khan si kryetar i ri i Londrës, si kryetari i parë mysliman... dhe ne si komunitet i krishterë jemi shumë krenarë për këtë gjë”, ka thënë Nunn.

 

Nga ana tjetër, Khan ka treguar se ai është rritur në një pronë të këshillit lokal, dhe dikur as që i shkonte ndër mend se do të bëhej kryetar i Londrës.

 

Ai shtoi se ndodhet aty për shkak të ndihmës dhe mundësive që qyteti i ka dhënë atij dhe familjes së tij. Më tutje, Khan ka siguruar të gjithë londinezët se ai do të punojë që të gjithëve t’u ofohen mundësi, ashtu siç qyteti i ofroi vet atij.

 

"Dhe ju premtoj këtë gjë, se do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta bërë qytetin tonë më të mirë. Unë do të jem kryetar për të gjithë londinezët”, ka premtuar Khan.

 

Sadiq Khan, kandidati për kryetar të Londrës i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, është zgjedhur kryetar i këtij qyteti, duke e bërë atë liderin e parë mysliman të një kryeqyteti të Bashkimit Evropian.

 

Londra, kryeqytet i Britanisë së Madhe, ka rreth 8.2 milionë banorë, prej të cilëve, më shumë se 1 milion janë myslimanë.

 

Në zgjedhjet e 5 majit, Khan fitoi 57 për qind të votave, përderisa rivali i tij konservativ përfundoi me 43 për qind të votave.

 

“Urime Sadiq Khan. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë një Londër që do të jetë e drejtë për të gjithë!”, ka thënë lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

 

Khan, 45 vjeçar, është djali i një emigranti pakistanez (që nuk jeton më), që dikur punonte si vozitës autobusi. Ai fitoi kundër rivalit të tij Zac Goldsmith, 41 vjeçar, i cili është djalë i një manjati të pasur.

 

Goldsmith e kishte akuzuar Khan se po mbështeste ekstremistët myslimanë, në një fushatë që ishte kritikuar gjerësisht, përfshirë edhe kritikat nga vet anëtarët e Partisë Konservative të Goldsmithit.

 

Khan tani është pasardhës i Boris Johnson, i cili njihet si avokues i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, e i cili gjithashtu shihet si një nga favoritët për ta pasuar David Cameronin si kryeministër.

 

Kryetarë të tjerë nga kryeqytete të mëdha botërore, si ai i Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe ajo e Parisit, Anne Hidalgo, menjëherë e uruan Khanin për pozitën e re. /evropaelire.org

Të gjitha centralet e sotme bërthamore prodhojnë energjinë nëpërmjet procesit të ndarjes së atomeve të uraniumit – që krijon nxehtësi të dobishme, por edhe mbetje të shumta e të rrezikshme bërthamore që janë vdekjeprurëse. Procesi i kundërt, ai i bashkimit të atomeve, apo fuzioni, gjithashtu krijon ngrohje, por edhe thuasje aspak rrezatim të dëmshëm. Problemi është se fuzioni është mënyra më e vështirë për t’u arritur. Shkencëtarët nga 35 vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, po përpiqen ta zgjidhin këtë problem – duke krijuar teknologji që mund ta furnizojnë botën me energji për mijëra vjet.

 

image

 

Shkencëtarët e dinë prej kohësh se nga bashkimi i atomeve të dy izotopeve të hidrogjenit, deuterium dhe tritium, çlirohen sasi të mëdha energjie dhe shumë pak rrezatim. Por, kjo kërkon atë lloj nxehtësie dhe presioni që gjendet tek dielli, por të përqendruar në një pikë shumë shumë më të vogël.

 

Teknologjia moderne thotë se kjo është shumë e vështirë por jo e pamundur për t’u arritur. Rrezet e fuqishme lazer do të siguronin presion dhe nxehtësi, ndërsa magnete të mëdha do të mbanin në ajër këtë diell të vogël, të futur një dhomë të veçantë.

 

Sipas parashikimeve, kjo shkrirje atomesh, do të jepte deri në 10 herë më shumë energji se sa konsumon.

 

Filluar në vitin 1985, një projekt në jug të Francës i quajtur ITER po zhvillohet ngadalë së bashku me planet për një reaktor funksionues energjie nëpërmjet bashkimit bërthamor. Projekti është pllakosur nga vështirësitë politike, organizative dhe financiare.

 

Por, drejtori i ri i përgjithshëm, fizikanti dhe kimisti frncez, Dr. Bernard Bigoh thotë se reaktori më në fund është duke u ndërtuar.

 

"Për shembull pjesa e parë e asaj që ne e quajmë ‘cryostat’ po vjen nga India. Ndërsa firma amerikane General Atomics ka qenë në gjendje të japë pjesën e parë të ‘solenoidit qendror", - thotë Dr. Bigoh.

 

Komisioni i Kongresit që miratoi pjesëmarrjen e SHBA.-së në këtë projekt e ka pakësuar mbështetjen e tij. Në vitin 1998 Komisioni u tërhoq nga projekti, vetëm për t’iu ribashkuar përpjekjeve në vitin 2005 dhe pastaj për t’i pakësuar në mënyrë drastike fondet në vitin 2008. Dr. Bigoh erdhi në SHBA në përpjekje për ta bindur Komisionin që të mos tërhiqet nga projekti.

 

"Shtetet e Bashkuara tani po pyesin nëse ia vlen të vazhdohet me projektin ose ndoshta të japin dorëheqjen. Prandaj ishte mjaft e rëndësishme për t’u treguar amerikanëve se përkundër faktit se ata mbulojnë vetëm 9% të investimeve, projekti po vazhdon dhe ia vlen që SHBA të qëndrojnë në të."

 

Dr. Bigoh thotë se në qoftë se plani i ri i punës miratohet nga shtatë anëtarët kryesorë të projektit, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, montimi i reaktorit mund të përfundojë deri në vitin 2025, me eksperimentet e para duke filluar nga viti 2028.

 

Në fund të fundit, reaktori do të kushtojë miliarda dollarë për t’u ndërtuar, por nëse punon, vlera do të jetë e pallogaritshme. /zeriamerikes.com

13.500 pjesëtarë të Bundeswehrit do të luftojnë në të ardhmen në internet. Pikërëndesa do të jetë në mbrojtjen e sulmeve kibernetike. Në temën e ndërmarrjes së sulmeve, ministrja e Mbrojtjes mbajti qëndrim defensiv.

 

image

 

Ushtria gjermane, Bundeswehri po armatoset kundër sulmeve që vijnë nga interneti. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shpalli për këtë ngritjen e një drejtorie të përgjithshme me 13.500 punonjës. Si datë për nisjen e punës, ministrja përmendi fundin e këtij viti. Në bazë të planit, drejtoria e re e përgjithshme me emrin "hapësira kibernetike dhe informative" do të zgjerohet deri në vitin 2021 dhe do të "sillet në gjendje të plotë operacionale".


Me këtë ministrja reagon ndaj rritjes së numrit të sulmeve kibernetike. Aktualisht çdo ditë numërohen rreth 6500 sulme ndaj rrjeteve të federatës. Sektori i ri organizativ i Bundeswehr-it do të ketë një inspektor të vetin. 13.500 vendet e reja të punës nuk do të hapen nga e para - por, në 90 përqind të tyre - do të krijohen nga forcat e IT-së të shpërndara në pjesët ushtarake dhe civile të të gjithë Bundeswehr-it.

 

Kurs kibernetik në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih


"Ne duhet të pozicionohemi më mirë në temën e kibernetikës" dhe ta "grupojmë më mirë ekspertizën", tha von der Leyen. Specialistë nga jashtë, në bazë të kësaj, Bundeswehri do t'i tërheqë përballë konkurencës së madhe në treg, para së gjithash me "shanse të qarta për karrierë". Veç kësaj, në universitetin e Bundeswehrit në Mynih do të ngrihet një kurs kibernetike me disa vende profesorësh, kurs të cilin do ta mbarojnë rreth 70 vetë në vit. Pranë Shkollës së Lartë do të ngrihet edhe një qendër kërkimore.


Von der Leyen pranoi njëkohësisht prapambetje të Bundeswehrit në mbrojtjen kibernetike. Në kuadër të përpunimit të Librit të Bardhë aktual të ushtrisë, vitin e kaluar ministria "i avancoi në mënyrë të konsiderueshme njohuritë e saj" dhe "nëpërmjet një workshopi për kibernetikën, të cilin e ngritëm relativisht vonë" u bë e qartë "sa e rëndësishme është që të fitojmë kohën e humbur në këtë fushë." Ndihmë ka dhënë në këtë fushë këmbimi i përvojave me "aleatë, që janë më përpara".


E rezervuar u tregua ministrja për aftësitë e mundshme ofensive të sektorit të ri kibenetik. Bundeswehri do të veprojë "me aftësinë e re kibernetike" njësoj si punon në të gjithë sektorët e tjerë, tha ajo. Ushtria gjermane duhet të jetë në gjendje "të mbrojë veten", "të ndërtojë aftësi mbrojtëse" dhe që të ketë mundësi "të ushtrohet" për qëllime mbrojtëse. Përgjegjësinë drejtuese në strategjinë e Bundeswehrit në përgjithësi do ta ketë "shumë qartë" Ministria Federale e Punëve të Brendshme.


Megjithatë, Bundeswehri ka disa vjet që ushtrohet për sulme kibernetike. Një njësi e vogël, e fshehtë, që vepron në Rheinbach pranë Bonnit, me aktualisht 60 ushtarakë është përgjegjëse për këto sulme. Por një angazhim ofensiv i kësaj njësie - si për shembull depërtimi në rrjetin e kundërshtarit - duhet të miratohet nga Bundestagu, njësoj si misionet luftarake në Afganistan dhe Mali. /Deutsche Welle Shqip

image

 

Në SHBA, Kandidati republikan për president, Donald Trump, që shpreson të marrë emërimin e partisë së tij po e kthen vëmendjen dhe retorikën drejt kryesueses së garës demokrate, Hillary Clinton, pas fitoreve të rëndësishme që ata të dy arritën në Nju Jork këtë javë.

 

Zoti Trump bëri dje fushatë në Merilend, një nga pesë shtetet që zhvillojnë zgjedhjet paraprake të martën e ardhshme.

 

"Mashtruesja Hillary Clinton nuk ka asnjë shans. Ajo nuk do të kthejë vendet e punës. Ajo merr vendime të gabuara. E dini se çfarë ka thënë Bernie Sanders për të dy herë. Pikë së pari ajo nuk është e kualifikuar, goditje e rëndë. Por ai shtoi se ajo ka një gjykim të gabuar. Ne do ta mposhtim atë keqazi."

 

Por zotit Trump i duhet së pari të sigurojë emërimin, për të cilin sfidohet nga senatori Ted Cruz dhe guvernatori i Ohajos John Kasich, që radhiten pas tij për nga numri i delegatëve dhe mund të duan ta prishin kurorëzimin e tij si kandidat përpara kuvendit të partisë në korrik.

 

Ndërkohë, Hillary Clinton bëri fushatë të mërkurën në Pensilvani, ku u përmbajt të përmendte Trumpin me emër por iu referua rivalit të tij, Ted Cruz, i cili ashtu si Trump ka mbajtur një qëndrim të debatueshëm ndaj myslimanëve.

 

Zoti Trump kërkon të ndalojë përkohësisht myslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ndërsa kandidati Cruz kërkon kontrolle të posaçme në komunitetet myslimane amerikane.

 

"Kjo është e rrezikshme. Kjo nuk është një retorikë e lirë dhe e drejtë. Ted Cruz flet për etiketimin e amerikanëve myslimanë dhe patrullimet speciale të policisë në lagjet myslimane”.

 

Rruga e zonjës Clinton për të marr emërimin demokrat në korrik duket gjithnjë e më e sigurtë, dhe do ta bënte atë të parë grua që fiton emërimin si kandidate për presidente në historinë amerikane.

 

Zoti Trump ka të ngjarë të përballet me më shumë rezistencë për të siguruar emërimin republikan nëse nuk siguron numrin e kërkuar të delegatëve para kuvendit të partisë. /zeriamerikes.com

 

© 2012 - 2017 Piskama.com
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
www.fatcow.com